Futboll

1000 birra për tifozët – dhurata e lamtumirës e Kryeziut

Mirlind Kryeziu

Mirlind Kryeziut iu organizua një ceremoni lamtumirëse të mërkurën mbrëma nga Zurichu. Mbrojtësi i qendrës po largohet nga klubi ku i kaloi plot 21 vjet, pa llogaritur dy periudha huazimi. Drejtuesit e Zurichut i dhanë një dhuratë. Bëhet fjalë për një fanellë ku shkruan “Faleminderit Mirlind”. Në nderim të shtatlartit, që ftohet herë pas here nga Kosova, edhe tifozët e Zurichut kishin përgatitur një koreografi.

Koreografia e tifozëve për Kryeziun

Zurichu i ka edhe dy ndeshje në këtë edicion të Superligës së Zvicrës dhe më pas Kryeziu do të jetë lojtar i lirë. Ai ka kohë që nuk luan, me pak përjashtime. Sipas klubit, kjo ndodhi pasi mbrojtësi refuzoi kontratën e re. Dy ndeshjet e fundit, Kryeziu dëshiron t’i kalojë në tribunë, në mesin e tifozëve.

Kryeziu nuk dëshiron të flasë shumë për mënyrën e largimit. Thotë se “kanë ndodhur disa gjëra”. Por refuzon të flasë më shumë.

“Nuk mund të them nëse po ndihem mirë apo keq. Në njërën anë është krenari të qëndrosh para tifozëve, për respektin që ata treguan ndaj meje. Për dashurinë që na lidhi. Është kënaqësi e madhe të kesh një lamtumirë si kjo. Në anën tjetër e di që çdo gjë ka përfunduar te Zurichu. Kam shumë emocione”, ka thënë Kryeziu për “Blick”.

Ai thotë se ëndrrat që i kishte me Zurichun i ka realizuar, por pak vonë. Ka fituar Kupën dhe titullin e kampionit të Zvicrës.

“Nuk mund të fitosh më shumë me Zurichun”, thotë 28-vjeçari. Ai kishte periudha huazimi te Biel-Bienne dhe te Kriensi.

Para ndeshjes që Zurichu e fitoi 4:1 të mërkurën ndaj Winterthurit, Kryeziu pagoi 1000 birra për tifozët në lokalin ku mblidhen ata. Ai është i bindur se birrat janë shpenzuar shpejt. Por a do të paguajë Kryeziu birra për tashmë ish-bashkëlojtarët?

“Pasi fituan 4:1 do ta rikonsideroj këtë. Mendoj se është gjest i mirë nëse në fund të gjithë marrin birra”.

Kryeziu nuk ka bërë të ditur se ku do të transferohet. Bundesliga 2 në Gjermani është destinacion i tij i mundshëm.

Këtë edicion ai është paraqitur në 18 ndeshje, por vetëm në pjesën e parë të kampionatit. Së fundi kishte startuar më 15 dhjetor. Luajti 20 minuta në një ndeshje për Kupë më 27 shkurt dhe pak minuta ndaj Young Boysit më 21 prill në ndeshje kampionale. Në ndeshjet e tjera ishte në stol apo nuk ishte fare i grumbulluar.

Për Kosovën, Kryeziu i ka luajtur dhjetë ndeshje. Së fundi luajti më 28 mars të vitit 2023. Së fundi është grumbulluar në mars të vitit 2024.