Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Malisheva e Ballkani kërkojnë suksesin evropian

Malisheva

Pas Dritës e Dukagjinit, janë Malisheva e Ballkani i Suharekës që paraqiten në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Këto dy skuadra luajnë të enjten.

Punë më të lehtë vlerësohet që ka Ballkani, ndonëse u mposht në ndeshjen e parë. Ballkani nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri” e pret skuadrën nga Irlanda, Bohemians. Javën e kaluar në Dublin, Ballkani pësoi 2:1. Bohemians e shënoi golin e fitores në minutën e 90-të.

Është edicioni i pestë rresht që suharkasit luajnë në Evropë. Në periudhën e Ilir Dajës arritën dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës.

Këtë edicion në raundin e parë kualifikues Ballkani e kaloi skuadrën nga Uellsi, Connah.

Malisheva para një javë arriti sukses historik duke fituar 2:0 në Prishtinë ndaj ekipit skocez Hibernian.

Edhe Ballkani sot e vazhdon rrugëtimin në Evropë Futboll Ballkani sot e vazhdon rrugëtimin në Evropë

Ndeshja e kthimit me Hibernianin luhet të enjten nga ora 21:00 në Edinburgh të Skocisë. Presioni pritet të jetë i madh ndaj malishevasve. Hiberniani kishte përkrahje të madhe të shikuesve edhe në Prishtinë, ndërsa në ndeshjen në shtëpi stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozë. Futbolli skocez vlerësohet i nivelit goxha të lartë.

Malisheva po garon për herë të tretë në Evropë. Në dy edicionet e kaluara u ndal në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, nga Buduqnosti i Podgoricës dhe nga Vikinguri islandez. Këtë edicion në raundin e parë e eliminoi Vllazninë e Shkodrës. Skuadrën shkodrane e mposhti 5:0 në Prishtinë, pasi fillimisht u mposht 2:1 në udhëtim.