Futboll

Luis Enrique flet për përleshjen pas finales

Luis Enrique

Trajneri i Paris Saint-Germainit, Luis Enrique, është munduar të minimizojë shtyrjen e sulmuesit të Chelseat, Joao Pedro, në një përleshje masive misid lojtarëve dhe stafit të trajnerëve pas finales së Kupës së Botës për Klube. Të dielën mbrëma, Chelsea fitoi 3:0 ndaj PSG-së, ndërsa me të përfunduar ndeshja erdhi te një incident i madh. Incidenti nisi kur portieri i PSG-së, Gianluigi Donnarumma nisi debatin me sulmuesin e Chelseat, Joao Pedro. Enrique u afrua dhe ka shtyrë në fytyrë brazilianin.

Jao Pedro u rrëzua, ndërsa një lojtar i PSG-së shihet duke ndalë Enriquen.

Tollovia ka zgjatur më shumë, ndërsa janë parë shtyrje të tjera mes lojtarëve. Por përfshirja e Enriques nuk pritej.

“Në fund të ndeshjes pati një situatë që besoj se mund të ishte shmangur nga të gjithë”, ka thënë Enrique në konferencë për shtyp.

“Objektivi dhe qëllimi im, si gjithmonë, është të përpiqem të fitoj mbështetjen e lojtarëve në mënyrë që të mos ketë më probleme. Ka shumë tension, shumë presion”, ka shtuar spanjolli.

Ai megjithatë nuk ka pranuar përgjegjësinë për incidentin.

“Kishte një seri shtyrjesh, të cilat mendoj se të gjithë duhet t’i shmangnim dhe të cilat nuk duhet të ndodhin përsëri”.

Joao Pedro, që u sulmua, mbeti i qetë pas ndeshjes.

“Nuk dua të flas për ta, pasi është plotësisht normale. Secili dëshiron ta fitojë ndeshjen. Mendoj se e humbën kontrollin  në fund”, ka thënë sulmuesi i Chelseat, që shënoi gol në finale.

Enrique mund të dënohet për shtyrjen ndaj Joao Pedros.