Futboll

Laçi flet për duelin me Serbinë: I duam tre pikët

Qazim Laçi

Shqipëria do të luajë "finalen e saj" me Serbinë më 11 tetor në Leskovc, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, aty ku kuqezinjtë janë të detyruar të fitojnë në mënyrë për ta mbajtur ëndrrën gjallë shpresën për kualifikim. Tre ditë më vonë do të presë në një miqësore në Tiranë ekipin e Jordanisë.

Mesfushori i Kombëtares, Qazim Laçi, në një konferencë për mediat në grumbullimin e parë të ekipit kuqezi për këto dy sfida, tha se skuadra e di rëndësinë e sfidës me Serbinë, por lojtarët do të tregohen profesionistë dhe do të hyjnë në fushë vetëm për tre pikët.

“Do jetë një ndeshje shumë e vështirë. Është një ndeshje vendimtare. Jemi profesionist. Jemi mësuar me presionin, secili te skuadra e vetë. Objektivi është tre pikët, sepse e dimë sa e rëndësishme është për ëndrrën tonë për Botëror. Kur je me Kombëtaren duhet të japësh diçka më shumë, është detyrim. Me ekipin Kombëtar kam dhënë maksimumin për të marrë fitoret. Kështu të vazhdojmë dhe të shpresojmë për një fitore në Serbi", tha Laçi.

Ai tha se do ketë shumë emocione kjo ndeshje, por duhet mbajtur qetësinë.

"Ne e shohim gjithmonë me kë luajmë, pavarësisht kundërshtarit. Ndeshjen e parë kishim mundësi ta fitonim, pavarësisht se doli barazim. Ne nga ana jonë, duhet të jemi të përqendruar dhe të shohim çdo detaj. Do jetë një ndeshje e mbyllur. Ne do të futemi nga minuta e parë për të marrë tre pikët. Statistikat ju a lë juve. Për ne do jetë pak ndryshe. Ne presim një ndeshje të fortë. E dimë që Serbia luan në shtëpinë e saj. Nga ana jonë, ne do përgatitemi për tre pikët, sepse do jenë vendimtare për ëndrrën tonë në Botëror”, u shpreh Laçi./KSP