Futboll

Kumbulla mund të ketë minuta në ndeshjen për Kupë

Marash Kumbulla

Mbrojtësi i Mallorcas, Marash Kumbulla, mund të luajë disa minuta në ndeshje për Kupë të Spanjës.

Këtë e ka paralajmëruar trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate, të hënën në konferencë për shtyp, shkruan “MundoDeportivo”.

Mallorca të martën nga ora 19:00 luan në udhëtim te Numancia në kuadër të raundit të dytë të “Copa del Rey”.

Kumbulla për një periudhë të gjatë ka qenë jashtë fushës për shkak të një lëndimi në kofshë.

Reprezentuesi i Shqipërisë u lëndua më 21 shtator në barazimin 1:1 të Mallorcas ndaj Atletico Madridit. Ai i mungoi Mallorcas në nëntë ndeshje.

Në ndeshjen e fundit të cilën Mallorca e zhvilloi të shtunën në La Liga ndaj Osasunas, Kumbulla ishte në bankën e rezervistëve.

25-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar katër ndeshje në elitën e futbollit spanjoll. Te Mallorca luan edhe sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi.