E shtuna ka qenë ditë feste për qytetin e Skenderajt. Klubi i Drenicës festoi ngritjen në Superligën e Kosovës në futboll.
Drenica në Superligë u kthye pas rënies për herë të parë në rangun e dytë të futbollit kosovar dy vjet më parë.
Kthimin në Superligë si kampione e Grupit A të Ligës së Parë, Drenica e siguroi pas fitores ndaj Istogut. Ka mbetur edhe një xhiro për t’u zhvilluar, ndërsa Drenica është në pozitën e parë me 55 pikë.
“Drenica me meritë do të jetë pjesë e Superligës. Drenica gjithmonë ka luajtur futboll cilësor dhe ka pasur organizim të mirë, prandaj i ka munguar Superligës, ashtu siç Superligës i mungojnë edhe qytetet si Prizreni, Gjakova e Peja. Me vite të tëra janë këto klube të cilat kanë prodhuar futboll cilësor dhe kanë sjellë një kulturë të veçantë sportive, e cila është reflektuar me numër të madh shikues. Ndoshta njëra prej arsyeve që pak shikues kemi në tribuna është mungesa e këtyre klubeve të mëdha, sepse mungon ai rivaliteti sportiv që vite me radhë ka qenë në Kosovë”, ka thënë trajneri i Drenicës, Bylbyl Sokoli, për KOHËN të dielën.
Sokoli thotë se merita për kthimin e Drenicës në Superligë kanë futbollistët, drejtuesit, tifozët dhe ndihmëstrajnerët e tij. Por kontribut kanë edhe ish-trajnerët e Drenicës.
Sokoli u kthye të punojë për herë të dytë te Drenica në prill të këtij viti. Si shef i shtabit teknik punoi pas largimit të Megzon Visokës. Te Drenica këtë edicion punoi edhe Arsim Thaqi.
Trajneri i cili ka drejtuar me sukses edhe disa skuadra të tjera në Kosovë ka treguar vështirësitë në rrugën drejt kthimit në Superligë.
“Meritat për këtë sukses i kanë futbollistët, drejtuesit e klubit të cilët kanë qenë gjithmonë pranë futbollistëve. Pastaj janë edhe tifozët që na kanë qëndruar pranë, kurse kontribut të madh kanë dhënë edhe trajnerët. Unë nuk kam qenë i vetëm aty. Kanë qenë edhe ndihmëstrajnerët, Fillim Guraziu, Erion Luta, Basri Jashari. Prapa këtij suksesi nuk janë individët, por një ekip. Nuk ka qenë lehtë kjo rrugë. Ne e kemi kryer punën tonë. Falë futbollistëve, drejtuesve, tifozëve, trajnerëve sot ekipi është në Superligë”, është shprehur Sokoli.
Ai thotë se qëndrimi i tij pas përfundimit të edicionit aktual do të varet nga organizimi.
“Është herët të flasim për të ardhmen. Kemi pasur qëllim inkuadrimin në Superligë dhe kjo është arritur. Për projektet e tjera varet prej zyrtarëve të klubit, të cilët besoj se e kanë të qartë se çka dhe ku dëshirojnë të arrijnë. Unë besoj se Drenica do të arrijë të organizohet për Superligë. Për ne trajnerët mbetet për t’u parë. Nëse përputhen ambiciet tona me kushtet që do të krijohen mund të flasim edhe për Superligë. Unë mendoj se Drenica duhet të pretendojë në fillim të krijojë stabilitet dhe më pas, nëse i jepet mundësia të luftojë për kreun e tabelës, për dalje në Evropë. Këtë synim duhet ta ketë. Ky duhet të jetë qëllimi i Drenicës”, ka thënë Sokoli.
Ndeshjen e fundit në Ligën e Parë, Drenica do ta ketë në udhëtim ndaj Rahovecit, që edicionin e ardhshëm do të garojë në rangun e tretë të futbollit kosovar.