Goli i shënuar nga Genc Hamiti në sekondat e fundit të ndeshjes ia siguroi fitoren Drenicës të enjten ndaj Gjilanit.
Drenica e fitoi 1:0 ndeshjen që ishte e vlefshme për xhiron e gjashtë të Superligës së Kosovës në futboll. Hamiti realizoi pas një gabimi të rëndë të vendasve.
Për ekipin nga Skenderaj ishte fitorja e tretë këtë edicion.
Pos Gjilanin, Drenica e ka mposhtur edhe kampionen, Dritën dhe Prishtinën e Re.
Ndërkohë ka edhe dy barazime dhe një humbje. Barazoi 1:1 me Dukagjinin dhe 0:0 me Llapin. U mposht nga Ballkani me rezultat të thellë, 3:0.
Drenica ka 11 pikë dhe renditet në pozitën e katërt. Jo keq për skuadrën e kthyer në elitë.
Te Drenica janë bërë ndryshime të shumta gjatë verës, kurse ka edhe zhvillime jashtë futbollit.
Trajneri i kuqezinjve, Bylbyl Sokoli, të premten për KOHËN ka pranuar se fatin e kishin më vete në ndeshjen në Gjilan.
“Kemi pasur shumë fat në pjesën shtesë të takimit. Djemtë janë angazhuar që të nxirret një rezultat. Kishim fat dhe fituam tri pikë. Është ende herët që të bisedojmë për rezultatet e Drenicës. Ne jemi komponuar vonë, ende kemi mungesë të lojtarëve. Vonë është arritur marrëveshja dhe tri javë jemi përgatitur për Superligë. Jemi duke punuar, duke e konsoliduar ekipin. Ende është herët të flitet për sukseset e ekipit. Për sukseset mund të flasim pasi të përfundon pjesa e parë e këtij edicioni. Pas xhiros së dhjetë mund të flitet, tani çdo gjë është herët. Janë angazhuar të gjithë futbollistët. Është meritë e të gjithë futbollistëve. Dhe ky është çelësi i suksesit nga takimi i djeshëm”, ka thënë Sokoli.
Trajneri me përvojë e udhëhoqi Drenicën edicionin e kaluar drejt kthimit në elitë. Sokoli te klubi drenicas në edicionin 2024/25 punoi në dy periudha të ndryshme.
“Synim i klubit është mbetja në ligë. Me vetë faktin që vonë jemi kyçur e po ashtu kemi 15 futbollistë të rinj në ekip. Nuk mund të themi që duhet të kërkojmë pjesën e sipërme të tabelës. Qëllimi kryesor është mbetja në Superligë. Nëse na ofrohen mundësitë që të dalim sipër në tabelë, me siguri që do të dimë që t’i shfrytëzojmë. Tash për tash qëndrojmë mirë dhe duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë”, tha Sokoli.
Drenica ndeshjen e ardhshme në Superligë e luan ndaj Malishevës, të dielën në Skenderaj.
Sokoli pret fitore ndaj Malishevës. Por e pranon se do të jetë ndeshje shumë e vështirë.
“Ne në çdo ndeshje shkojmë për fitore. Edhe ndaj Malishevës shkojmë për fitore. Do të synojmë që në çdo ndeshje të fitojmë, por do të jetë ndeshje e vështirë. E vështirë, sepse kemi një numër të madh të futbollistëve me shumë kartonë. Kemi dy futbollistë kyç të lënduar. Këto janë hendikepet për takimin me Malishevën”.