Futboll

Kritika e Kovaçit: Fusha e finales është për golf, jo për futboll

Borussia Dortmundit

Në sytë e trajnerit të Borussia Dortmundit, Niko Kovaç, fusha në stadiumin “MetLife” në East Rutherford të New Jerseyt në SHBA është më e përshtatshme për një raund të lojës së golfit se për ndeshje të futbollit në Kupën e Botës për Klube. Kovaç ka thënë se edhe vapa e verës në zonën e New Yorkut është e papërshtatshme për futboll të nivelit të lartë.

“Është më shumë fushë golfi, kështu që mund të gjuash me top këtu”, tha Kovaç pas humbjes 3:2 të Dortmundit në çerekfinale nga Real Madridi, të shtunën.

“Është fushë shumë e shkurtër. Dhe nuk është bari me të cilin jemi mësuar të luajmë në Bundesligë dhe po ashtu në dy stadiumet tjera”.

Dortmundi e luajti ndeshjen e parë në grup në “MetLife”, arenë e dy gjysmëfinaleve të Kupës së Botës për Klube dhe po ashtu e finales. Në këtë stadium do të luhet edhe finalja e Botërorit të vitit të ardhshëm.

Ekipi i madh gjerman i luajti dy ndeshje në Cincinnati dhe ndeshjen e një të tetës së finales në Atlanta.

“Ashtu siç e patë, do të thosha që ujitja nuk ishte mjaftueshëm e mirë, pasi nuk keni pajisjet për këtë. Kur është shumë thatë, është e pabesueshme”.

Në një pasdite me diell në East Rutherford, temperatura ishte 30 gradë Celsius. Temperatura të njëjta, apo edhe më të larta, priten në Kampionatin Boptëror të vitit të ardhshëm. Ndeshjet do të luhen në 11 arena në SHBA, ndërsa shumica nuk kanë ajër të kondicionuar.

Në Kupën e Botës 1994 në SHBA, 28 prej 52 ndeshjeve kanë filluar mes orës 12:00 dhe 14:00, sipas kohës lokale. Kjo ishte bërë që orari të jetë më i përshtatshëm për audiencën në Evropë. Orari i Botërorit me 104 ndeshje pritet të caktohet pas shortit që do të tërhiqet në dhjetor.

“Ne luajtëm dy herë në Cincinnati. Herën e parë ora ishte 12:00. Herën e dytë ora ishte 15:00 dhe në fushë kishim temperaturë rreth 45 gradë Celsius”, vazhdoi Kovaç me kritikën.

“Kur temperatura është 45 gradë, kjo nuk është e mahnitshme. Është shumë e vështirë për dikë  dhe lojtarët duhet të luajnë këto ndeshje”.

Ka pasur vazhdimisht kritika për temperaturat e larta në Botërorin e klubeve në SHBA, që vlerësohet edhe parapërgatitje për Botërorin e vërtetë të vitit të ardhshëm.

“Sot kishim temperaturë prej 35 gradë. Nuk është shumë më mirë, të jem i sinqertë. Por në rregull, është turne që është dashur ta luajmë. Dhe unë propozoj që ndeshjet të luhen më vonë. Intensiteti do të jetë më i lartë. Si tifoz, si shikues, ju dëshironi një lojë futbolli me intensitet. Kur është shumë nxehtë është e vështirë të luhet një futboll i tillë”, ka theksuar Kovaç.

Gjysmëfinalet e Kupës së Botës për Klube zhvillohen javën e ardhshme. Gjysmëfinalja e parë vë përballë Fluminensen e Brazilit dhe Chelsean. Gjysmëfinalja e dy vë përballë gjigantët evropianë, PSG e Real Madrid.

Ndeshja mes Madridit dhe Dortmundit u zhvillua para 76 mijë e 611 shikuesve. Kishte fund dramatik, me tre gola të shënuar në minutat shtesë.

Gonzalo Garcia shënoi për 1:0 në të mirë të Madridit në minutën e dhjetë, ndërsa Fran Garcia realizoi për 2:0 në minutën e 20-të.

Dortmundi u kthye në lojë kur në minutën e 93-të për 2:1 shënoi Maximilian Beier.

Por menjëherë në minutën e 94-t për 3:1 realizoi Kylian Mbappe, kurse golin përfundimtar, për 3:2, e shënoi Serhou Guirassy nga penalltia në minutën e 98-të.