Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, beson se Kupa e Botës për Klube është “tashmë gara më e suksesshme e klubeve në botë”, përkundër disa “gjërave negative” që kanë shoqëruar turneun.
Infantino, që drejton shtëpinë botërore të futbollit që nga viti 2016, ka thënë se gara ka gjeneruar më shumë se dy miliardë dollarë të ardhura, që sipas tij janë “33 milionë dollarë për ndeshje”.
Si rezultat, ai beson se turneu ishte “sukses i jashtëzakonshëm”, ndërsa ka shtuar se “epoka e artë e futbollit global të klubeve ka nisur”.
Fjalët e Infantinos erdhën një javë pasi ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp tha se Kupa e Botës për Klube është “ideja më e keqe e implementuar në futboll”. Botërori është rritur në 32 klube dhe u vendos të organizohet këtë verë në SHBA.
Në shumë ndeshje numri i shikuesve nuk ishte i madh. Më shumë se 1 milion ulëse të zbrazta ishin gjatë turneut. Lojtarë si Jude Bellingham, Reece James dhe Enzo Fernandez kanë kritikuar të nxehtit e madh dhe gjendjen e fushave në SHBA.
Mesfushori i Chelseat, Fernandez, tha se të nxehtit ishte shumë i rrezikshëm, ndërsa trajneri i tij, Enzo Maresca theksoi se ishte e pamundur të mbahen seanca stërvitore normale.
Por Infantino ka parë shumë gjëra të mira në Botërorin e Klubeve.
“Epoka e artë e futbollit global të klubeve ka nisur. Mund të themi përfundimisht që ky Botëror i Klubeve ishte sukses shumë, shumë, shumë i madh. Natyrisht, ka shumë gjëra pozitive e pak negative. Ne respektojmë mendimin e secilit. Ishte ngjarje e suksesshme. Kemi pasur mbi 2,5 milionë shikues në stadiume. Kjo do të thotë rreth 40 mijë shikues për ndeshje. Nuk ka ligë në botë me këtë shifër, por Premier Leagues. Natyrisht Premier League ka skuadra vendase, ndërsa këto ishin stadiume neutrale”, ka thënë Infantino në prag të finales së Botërorit të Klubeve. Ai ka thënë se Botërori është i arsyeshëm edhe në aspektin financiar.
“Kemi dëgjuar që financiarisht nuk do të funksionojë, por mund të them që kemi gjeneruar mbi 2 miliardë dollarë në të hyra me këtë garë. Kemi fituar mesatarisht 33 milionë dollarë për ndeshje. Nuk ka tjetër Kupë në botë që i afrohet shifrës prej 33 milionë dollarëve për ndeshje. Tashmë është gara më e suksesshme e klubeve sipas të gjitha matjeve të bëra”.
Infantino megjithatë ka pranuar se temperaturat e larta në verën e SHBA-së janë “përfundimisht një çështje”.
Më herët këtë muaj, sindikata e lojtarëve, FIFPRO, ka theksuar se ndeshja e Chelseat me ES Tunis në Philadelphia është dashur të shtyhet për shkak të të nxehtit të madh. Ndeshjet në SHBA zhvillohen kryesisht gjatë ditës që orari të jetë i përshtatshëm për teleshikuesit në Evropë.
Botërori i përfaqësueseve do të mbahet vitin tjetër në SHBA, Kanada dhe Meksikë në të njëjtën periudhë të vitit. Dhe temperaturat e larta sërish pritet të jenë problem.
“Natyrisht, të nxehtit përfundimisht është çështje. Është çështje në gjithë botën. Mbaj mend që ishte njëjtë në Lojërat Olimpike në Paris dhe në ndeshjet tjera të futbollit. Kushtet nënkuptojnë se duhet të kemi pushime për freskim, ujitje të fushave dhe do të shohim se si mund t’i bëjmë gjërat më mirë. Kemi stadiume në SHBA që janë të mbuluara. I mbuluar është edhe stadiumi në Vancouver të Kanadasë. Përfundimisht do t’i shfrytëzojmë më shumë këto stadiume gjatë ditës”, ka thënë presidenti i FIFA-s.
Pesë stadiume ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit 2026 janë të mbuluara. Në Botërorin e klubeve ishte vetëm një.