Turneu i Kupës së Botës për Klube, i organizuar nga FIFA e me format të zgjeruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka arritur në gjysmë. Ka mbaruar faza e grupeve, ndërsa në dy javët e ardhshme do të luhen ndeshjet e fazës nokaut.
Pasi është zgjeruar nga shtatë në 32 ekipe, organizimi i kësaj gare ka pranuar kritika për shkak të shëndetit të lojtarëve, pasi ndeshjet po luhen në temperatura ekstreme dhe shpeshherë me pak të pranishëm në stadiume, shkroi BBC-ja të premten.
Kritikët kanë thënë se Kupa e Botës për Klube është për t’i rritur financat e FIFA-s, ndërsa shtëpia botërore e futbollit thotë se ngjarja është e rëndësishme për përgatitje për turneun pesëjavor të Kupës së Botës vitin e ardhshëm, në të cilën do të jenë pjesëmarrëse 48 përfaqësuese dhe do të organizohet në 16 qytete në Kanada, SHBA dhe Meksikë.
Deri më tani gara ka qenë me kontraste të mëdha. Skuadra si Bayern Munichu i kanë shkatërruar ekipet e vogla, si Auckland Cityn e Zelandës së re 10:0, ndërsa ka pasur edhe ndeshje dramatike, që kanë dhënë rezultate si 4:4 e 4:3.
Kushte “të pamundura” dhe kërcënime nga stuhitë
Që kur u njoftua për zgjerimin e turneut, ka pasur shqetësime për mbingarkesën e lojtarëve, sidomos kur pas 12 muajsh do të luhet Kupa e Botës.
Prej kur ka nisur sezoni në muajin gusht, Real Madridi tani i ka luajtur 65 ndeshje, Interi 62, Paris Saint-Germaini 61, ndërsa Chelsea dhe Manchester City nga 60 ndeshje. Katër ndeshje të tjera i presin këto skuadra, nëse arrijnë deri në finale.
Situatën më së shumti e kanë përkeqësuar temperaturat e larta. Në ndeshjen ndërmjet Bayern Munichut dhe Benficas në Charlotte temperatura ishte 36 gradë celsius. Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka thënë se ka qenë “e pamundur” të organizohet seancë normale e stërvitjes.
Pushime për freskim janë realizuar përgjatë ndeshjeve. Lojtarët kanë mbajtur në qafë peshqirë të ftohtë, apo kanë hedhur ujë me akull në kokat e tyre për t’u freskuar. Stuhitë kanë shkaktuar vonesa në pesë ndeshje, sepse ndeshjet në stadiumet amerikane duhet të ndërpriten kur ka rrufe brenda rrezes prej 16 kilometrash.
Vonesa të ndeshjeve mund të ketë edhe në Kupën e Botës në vitin tjetër, pasi ndeshjet, po ashtu, do të luhen në tri stadiume në Meksikë, si dhe në qytetet San Francisco, Los Angeles, Dallas, Houston, Atlanta dhe Miami.
Atmosferë fantastike apo stadiume thuajse të zbrazura
Ka pasur turma prej më shumë se 40 mijë tifozëve në 18 prej 48 ndeshjeve të fazës grupore, kurse atmosfera në disa prej atyre ndeshjeve ishte e zjarrtë.
Më së shumti shikues pati në ndeshjen ku PSG-ja e shkatërroi Atletico Madridin 4:0. Në “Rose Bowl” në Pasadena, të pranishëm ishin 80 mijë e 619 shikues.
Megjithatë, biletat jo në të gjithë ndeshjet u shitën mirë. Afro 50 mijë ulëse ishin të lira për ndeshjen e parë të Chelseat ndaj Los Angeles FC në Atlanta.
Tetë prej 10 ndeshjeve me pjesëmarrjen më të ulët të shikuesve janë luajtur nga e hëna deri të premten. Gjashtë prej atyre 10 ndeshjeve nisën në mesditë dhe në orën 3 pasdite me kohën lokale. FIFA ka hasur në vështirësi për t’i balancuar kërkesën e vendësve për bileta, çmimet e tyre, si dhe përshtatjen e orareve për ta kënaqur tregun televiziv në Evropë dhe Azi.
“Topi kërcen si lepur” – kritikohet kualiteti i fushave
Trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka qenë në mesin e kritikëve për fushat ku janë luajtur ndeshjet, duke thënë se FIFA duhet “ta ketë në mendje” kualitetin e fushave të ndeshjeve dhe stërvitjeve, nëse dëshiron që Kupa e Botës për Klube “të jetë garë e nivelit më të lartë në botë”.
“Nuk do të mund ta imagjinoja një palestër në NBA me plot vrima”, ka thënë 55-vjeçari pas fitores 2:0 ndaj Seattle Sounders.
“Unë shqetësohem për fushën. Topi kërcen thuajse si një lepur”.
Kritik për fushat ka qenë edhe mesfushori i Real Madridit, Jude Bellingham, pas fitores 3:1 ndaj Pachucas.
“Fushat nuk janë të mira. Topi mezi rrotullohet”, ka thënë ndër të tjera mesfushori anglez.
Sa seriozisht e kanë marrë ekipet këtë garë?
Shuma totale e cila shpërndahet te 32 ekipet për Botërorin e klubeve është 775 milionë funte, ndërsa fituesi do t’i fitojë deri në 97 milionë funte.
Ato do të përfitojnë para për secilin raund që e arrijnë. Një fitore në fazën grupore i siguron 1.5 milionë funte, barazimi është 800 mijë funte, kurse ekipet marrin edhe 5.8 milionë funte të tjera për arritje në 1/8 e finales. 10.1 milionë funte të tjera ekipet i fitojnë për kualifikim në çerekfinale, 16.2 milionë funte për arritje në gjysmëfinale, 23.2 milionë funte për finale, kurse fituesi merr 30 milionë funte për triumf në Botëror.
Manchester City është i vetmi ekip që i ka fituar tri ndeshjet e fazës së grupit, pas fitoreve 2:0 ndaj marokenëve të Wydadit, 6:0 ndaj Al Ainit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 5:2 ndaj Juventusit të Italisë.
Evropa u parashikua të dominojë – por a po dominon?
Para se të fillonte turneu, në bazë të statistikave të nxjerra nga “Opta”, 11 ekipet favorite për ta fituar trofeun ishin të gjitha nga Evropa.
Megjithatë, tri nga 12 skuadrat e kontinentit nuk e kaluan fazën grupore. Porto, Atletico Madridi dhe Red Bull Salzburgu u eliminuan pasi i përfunduan tri ndeshjet që i patën.
Gjashtë ekipe nga Amerika e Jugut bashkë me dy nga Argjentina janë eliminuar, po ashtu, ndërsa katër ekipe të Brazilit avancuan në 1/8 e finales. Palmeiras do të luajë ndaj Botafogos.
Dy nga pesë ekipe të Amerikës së Veriut – Inter Miami dhe Monterrey e Meksikës janë ende në garë, ndërsa Al Hilali i Arabisë Saudite, që do të luajë kundër Manchester Cityt në fazën nokaut, është i vetmi ekip i Azisë i mbetur në garë.
Të gjitha katër ekipet afrikane nuk e kaluan grupin, njësoj si përfaqësuesja e vetme e Oqeanisë, Auckland City. Skuadra amatore e Zelandës së Re, megjithatë, e mori një pikë pas barazimit 1:1 me Boca Juniorsin e Argjentinës.
Gara për “Këpucën e Artë”
Pas përfundimit të fazës grupore të Botërorit të klubeve, edhe gara për t’u bërë golashënuesi më i mirë i turneut është e fortë. Janë pesë lojtarë që janë shquar me gola deri më tani.
Dyshja e Bayern Munichut, Michael Olise dhe Jamal Musiala i kanë nga tri gola. Musiala realizoi “hat-trick” në fitoren 10:0 ndaj Auckland Cityt, në ndeshjen e parë të turneut.
37-vjeçari Angel Di Maria shënoi dy herë për Benfican në fitoren 6:0 ndaj skuadrës së Zelandës së Re, ndërsa një tjetër gol e realizoi në barazimin 2:2 ndaj Boca Juniorsit.
20-vjeçari, Kenan Yildiz, i Juventusit ka pasur paraqitjet më të mira për skuadrën italiane deri tani. Edhe ai i ka tri gola në po aq paraqitje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmuesi i Al Ahlyt, Wessam Abou Ali ka qenë befasia në garën për këtë trofe. 26-vjeçari realizoi tregolësh në barazimin 4:4 të skuadrës së tij me Porton, në ditën e fundit të fazës së grupeve. Por, ekipi i tij është eliminuar dhe sulmuesi nuk do të mund ta shtojë numrin e golave të shënuar.