Futboll

Nga stadiumet e zbrazta tek atmosfera “armiqësore”

Shikues

Foto: Associated Press

Ndërsa fillimi po afrohej, ishte e qartë se tifozët nuk do të vinin. Kupa e Botës për Klube, gara e re dhe luksoze e FIFA-s, është cilësuar si ngjarja që do t’i jap jetë të re sportit më të popullarizuar në botë. 

Kampionati filloi një javë më parë në SHBA, ku stadiume me kapacitet shumë të madh dhe çmime të larta biletash prisnin turmat e zhurmshme të tifozëve që shiheshin në arenat e futbollit anembanë botës.

Por rreshtat e shumtë me vende bosh në stadiumin “Inter&Co”, në Orlando, të martën, treguan një rrëfim tjetër.

“Është sikur të luash futboll gjatë izolimit”, shkroi një tifoz në rrjetet sociale.

Për shumë ditë, Federata Ndërkombëtare e Futbollit nuk paraqiti në faqen e saj zyrtare numrin e shikuesve në ndeshjen mes skuadrave Mamelodi Sundowns dhe Ulsan. Vetëm të premten u prezantua shifra prej 3412 shikuesve. Ishin rreth 1000 shikues më pak në tribuna kur filloi ndeshja.

Ndërkohë ishin më shumë se 80 mijë shikues në “Rose Bowl” në Pasadena të Kalifornisë për ndeshjen e fituesit të Ligës së Kampionëve të Evropës, Paris Saint-Germainit dhe Atletico Madridit.

Në javën e parë të Kupës së Botës për Klube kishte “luhatje” të mëdha sa i takon numrit të shikuesve. 
Pika më e ulët ishte në ndeshjen Mamelodi Sundowns – Ulsan. Ishte një goditje për FIFA-n dhe presidentin e saj, Gianni Infantino, i cili po e promovon ngjarjen si njërën prej më të vlefshmëve në sport.

Aq pak kishte shikues sa që fjala “ORLANDO”, e shkruar në karriget në njërën nga tribunat kryesore, shihej plotësisht. Stadiumi ka kapacitet prej 25 mijë e 500 ulëseve dhe kjo bëri që pjesëtarët e sigurisë të qëndronin afër fushës dhe të shikonin hapësira boshe.

Bëhet fjalë për njërin prej stadiumeve më të vogla të përzgjedhur për Kupën e Botës për Klube, por që sërish ishte shumë i madh për atë ndeshje. Çmimi i biletave ra në 23 dollarë.

Përballë ishin skuadrat nga Afrika e Jugut dhe nga Koreja e Jugut. Skuadra pak të njohura dhe as që është pritur të ketë shumë shikues. Po ashtu stuhitë, që detyruan shtyrjen e ndeshjes për një orë, mund të kenë ndikuar në numrin e vogël.

Ishte një nga tri ndeshjet e javës së parë që mblodhën më pak se 10 mijë tifozë.

Kishte shumë vende të zbrazëta edhe në ndeshjen e Chelseat me Los Angeles FC në Atlanta. Ndeshja u luajt në pasditen e një dite të javës. Dhe përballja e njërit prej ekipeve më të njohura të Premier Leagues me ekipin e MLS-së së SHBA-së nuk mblodhi më shumë se 22 mijë tifozë, ndërsa kapaciteti i stadiumit është 71 mijë ulëse.

“Mendoj se ambienti ishte pak i çuditshëm. Stadiumi ishte pothuajse i zbrazët”, tha trajneri i Chelseat, Enzo Maresca. 

Paqartësitë për shitjen e biletave u bënë debat në ditët para kampionatit. Çmimet u ulën shumë para ndeshjes hapëse mes Inter Miamit dhe Al-Ahlyt. Rreth 61 mijë tifozë ishin në atë ndeshje në Florida, por nuk dihet sa prej tyre e paguan çmimin prej 349 dollarëve, sa kushtonte një biletë në dhjetor.

Të martën FIFA tha se 1,5 milionë bileta ishin shitur dhe më shumë se 340 mijë tifozë ishin në tetë ndeshjet e para. Infantino tha me krenari se Kupa e Botës për Klube po rritej dhe po arrinte në “kulmin e padiskutueshëm të futbollit global të klubeve”.

Në Miami shifrat ishin të mira. Nuk ishin asnjëherë më pak se 55 mijë tifozë, ndërsa u mblodhën 63 mijë e 587 shikues për ndeshjen e Bayernit me Boca Juniorsin.

Sulmuesi i Bayernit, Harry Kane, e përshkroi atmosferën në stadium si “armiqësore”. Në stadium dominuan tifozët e Bocas.

Numri më i madh i shikuesve ishte në “Rose Bowl” – 80 mijë e 619 shikues për ndeshjen PSG – Atletico Madrid.

Sa për krahasim, në finalen e Kupës FA të Anglisë në “Wembley” ishin 84 mijë e 163 shikues, ndërsa në finalen e Ligës së Kampionëve 64 mijë e 327 shikues.

Numri i shikuesve është i rëndësishëm edhe për të konstatuar se sa është rritur futbolli në SHBA në krahasim me Botërorin e mbajtur në vitin 1994. FIFA shpreson që për Botërorin e vitit të ardhshëm të gjitha stadiumet të jenë të stërmbushura. Për këtë arsye jo vetëm statistikat kanë rëndësi, por edhe pamja e stadiumeve. Prandaj në FIFA shpresojnë që në Botërorin e Klubeve më mos të ketë ndeshje si ajo e Mamelodit ndaj Ulsanit.