Mbrojtësi Ilir Krasniqi e vlerëson hap të rëndësishëm në karrierë kalimin nga Kolos Kovalivka te skuadra tjetër ukrainase, Polissya Zhytomyr.
Transferimi i reprezentuesit të Kosovës është zyrtarizuar të martën. 25-vjeçari ka firmosur kontratë për tri vjet e gjysmë me Polissyan, ndërsa sipas mediave ukrainase transferimi ishte i vlefshëm 2 milionë euro.
Krasniqi për një vit e gjysmë ishte te Kolosi dhe ka bërë përparim të ndjeshëm. Ndër të tjera është shndërruar në mbrojtës të rëndësishëm edhe te Kosova, sidomos në kualifikimet e fundit.
Dhe me transferimin te Polissya synon gjëra edhe më të mëdha.
“Është hap shumë i rëndësishëm në karrierën time dhe ngritje drejt niveleve më të larta të futbollit. Synimet e klubit janë të mëdha. Jam përshtatur shpejt dhe pritja nga bashkëlojtarët ishte shumë pozitive”, ka thënë Krasniqi të mërkurën për KOHËN.
Ai i ka 36 paraqitje në kampionatin ukrainas. Dhe kjo përvojë do t’i shërbejë shumë në klubin e ri.
“Kam një vit e gjysmë këtu në Ukrainë dhe kjo më ka ndihmuar shumë në ambientim”, thotë Krasniqi.
Në dhjetor te Polissya është transferuar edhe mesfushori i Kosovës, Lindon Emërllahu. Ai u transferua nga Cluji rumun. Polissya me dyshen kosovare synon ta “sulmojë” titullin e kampionit, që do të ishte i pari në histori.
Kjo skuadër vetëm në tri edicionet e fundit garon në elitën ukrainase. Lufta e ka ndryshuar jo pak “hartën” e futbollit në Ukrainë, ndërsa tashmë Polissya është prej skuadrave pretendente.
“Të kesh një shok skuadre nga Kosova të ndihmon në çdo aspekt, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Natyrisht kjo e lehtëson punën për të dy, është pozitive për të dy. Personalisht në Ukrainë kam kaluar shumë mirë. Jam zhvilluar si lojtar dhe jam respektuar maksimalisht në çdo ndeshje që kam luajtur”, ka theksuar Krasniqi.
Ai është zhvilluar te Fushë Kosova e KEK-u, ndërsa u bë i njohur derisa ishte te Llapi. Prej Llapit u transferua në Ukrainë. Krasniqi tashmë i ka 17 ndeshje me Kosovën. Të ardhshmen shpreson ta luajë në mars, në gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në Botëror. Kosova përballet me Sllovakinë më 26 mars në Bratislavë.
“E dimë shumë mirë se na presin sfida të rëndësishme. Do të luftojmë në çdo duel, do të lëmë shpirtin në fushë dhe do të bëjmë gjithçka për të shkruar histori. Me mbështetjen e tifozëve tanë, gjithçka është e mundur”, është optimist Krasniqi.