Hendbollistët e Kosovës kanë pësuar disfatë të thellë në ndeshjen e parë të fazës së dytë kualifikuese për Kampionatin Evropian të vitit 2026. “Dardanët” të mërkurën mbrëma në Torshavn, u mposhtën nga Ishujt Faroe me rezultatin 32:21.
Kosova pati paraqitje të mirë në pjesën e parë, por vendësit treguan më shumë dhe arritën fitoren në fund me 11 gola dallim.
Ishte hera e katërt që këto dy ekipe u ballafaquan mes vete, por e para në kualifikimet për Kampionatin Evropian. Edhe takimet tjera i kishin fituar Ishujt Faroe.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 13:9 në të mirë të vendësve. Edhe pjesa e dytë u dominua nga hendbollistët e Ishujve Faroe.
Kosovës nuk i ndihmoi loja e mirë e kapitenit Valon Dedaj, që pati katër gola të shënuar në gjashtë tentime. Të rikthyerit në Përfaqësuesen e Kosovës, Drilon e Drenit Tahirukaj, patën po ashtu lojë të mirë. Driloni shënoi katër gola nga pesë tentime, kurse Dreniti pati po ashtu katër gola, por nga shtatë gjuajtje drejt portës.
Edhe
Kosova i mbyll kualifikimet me humbje
Te Ishujt Faroe më i miri ishte Oli Mittun me tetë gola nga 11 tentime, kurse shtatë gola i kishte Elias Ellefsen Skipagotu.
U shqua edhe portieri Pauli Jacobsen me 13 pritje nga 29 tentime.
Në Grupin 6, bashkë me Kosovën dhe Ishujt Faroe, janë edhe Holanda dhe Ukraina.
Holanda ndeshjen e parë e luan ndaj Ukrainës të enjten.
Më 10 nëntor, të dielën në palestrën “1 Tetori” në Prishtinë, Kosova ballafaqohet me Holandën, që vlerësohet përfaqësuese goxha e fortë.
Ajo ndeshje nis në orën 17:15.
Edhe
Ndeshja e madhe e Kosovës nuk mjafton
Dy vendet e para të secilit prej tetë grupeve kualifikohen direkt në Evropianin që pas dy vjetësh organizohet në Danimarkë, Suedi e Norvegji.
Kualifikimin e sigurojnë edhe katër përfaqësueset më të mira të pozitës së tretë.