Kolni është kthyer në Bundesligën gjermane si kampion, pasi të dielën e fitoi ndeshjen e fundit të kampionatit.
Bundesligën 2, skuadra e Leart Paqaradës e mbylli me 61 pikë, dy më shumë se Hamburgu.
Bashkë me Kolnin e Paqaradës, Bundesligën më herët e ka siguruar edhe Hamburgu i Emir Sahitit. Hamburgu ndeshjen e xhiros së 34-t e humbi në udhëtim te Greuther Furthi, 3:2.
Ndërkohë, Elversbergu i Fisnik Asllanit do të luajë në plejofin për ngjitje në elitën gjermane të futbollit për herë të parë në histori.
Paqarada kontribuoi me asistim të dielën në fitoren e thellë 4:0 të Kolnit ndaj Kaiserslauternit.
Mbrojtësi i majtë i Kosovës asistoi në golin për 1:0 në minutën e 14-të.
Ai luajti në tërë ndeshjen dhe ishte prej më të mirëve.
Ndërkohë, Elversbergu fitoi 2:1 në udhëtim te Schalke në xhiron e fundit.
Nuk mungoi as kontributi i Asllanit, që ishte prej më të mirëve në gjithë kampionatin. Asllani ishte asistues në golin për 1:0 në minutën e 20-të.
Ai luajti deri në minutën e 86-të, ndërsa e mbylli kampanjën si golashënuesi i tretë më i mirë me 18 gola e nëntë asistime.
Elversbergu do të luajë për një vend në Bundesligë me skuadrën e Heidenheimit, që përfundoi në vendin e 16-të në elitën gjermane me 29 pikë.
Ndeshja e parë e plejofit luhet të enjten mbrëma nga ora 20:30 në “Voith Arena” të Heidenheimit. Dueli kthyes më pas luhet të hënën, më 26 maj, në shtëpinë e Elversbergut.