Futboll

Jota, golashënuesi natyral me rol vendimtar në sukseset e Liverpoolit

Diogo Jota

Diogo Jota, i cili vdiq të enjten në një aksident me veturë në moshën 28-vjeçare, ishte golashënues natyral, që luajti rol vendimtar në sukseset e Liverpoolit në vitet e fundit, si dhe në triumfet e Portugalisë në Ligën e Kombeve.

Jota ishte transferuar te Liverpooli për 45 milionë funte nga Wolverhamptoni në shtator të vitit 2020, pasi e ndihmoi ekipin e Nuno Espirito Santos të kthehej në Premier League.

Qetësia para portës e bëri Jotan fitues në shumë raste nën drejtimin e Jurgen Kloppit dhe më pas të Arne Slotit.

Disa e konsideruan atë si golashënuesin më natyral të Liverpoolit, pavarësisht pranisë në ekip të njërit prej lojtarëve më të mëdhenj në histori të të kuqve, Mohamed Salah.

“Ai është lojtar që na jep shumë opsione. Është 23-vjeçar, mund të zhvillohet ende, por ka shumë potencial”, kishte thënë Klopp kur e kishte transferuar Jotan. “Ai e ka shpejtësinë, mund të bashkëpunojë me lojtarët e tjerë, mund të mbrohet, mund të bëjë presion. Na jep opsione të shumta në sisteme të ndryshme”, kishte shtuar tekniku gjerman.

Jota i solli gjitha këto te Liverpooli dhe shumë më tepër.

Ishte në ekipin që fitoi Kupën FA dhe Kupën e Ligës në vitin 2022. Ndonëse u pengua nga lëndimet, ai dha kontribut të rëndësishëm në edicionin e fundit.

Shënoi me goditje me kokë golin e barazimit ndaj Nottingham Forestit në janar, disa sekonda pasi hyri si zëvendësues. Pastaj e shënoi golin e fitores në derbin “Merseyside” kundër Evertonit në prill.

Goli i Jotas kundër rivalit lokal i përmblodhi të gjitha cilësitë që e bënë atë figurë të pëlqyer midis tifozëve të Liverpoolit. Liverpooli po e rifitonte dominimin ndaj rivalit lokal.

Ai e preku dy herë topin në një zonë të mbushur me lojtarë. Shmangu mbrojtësit e Evertonit para se ta gjuante me këmbën e djathtë dhe të festonte para tifozëve të zjarrtë të Liverpoolit.

Ai mungoi gjatë në fillim të edicionit për shkak të një lëndimi në brinjë. Por kur u kthye, e shfaqi prekjen e sigurt para portës dhe aftësinë për të qenë në vendin e duhur në kohën e duhur.

Salah mori më shumë vëmendje, por golat e Jotas ishin shpesh vendimtarë. Mbrojtjet i janë frikësuar gjithnjë, për shkak të aftësisë së shënimit të golave.

Pasi ishte rritur shumë, klubi lokal nga zona e Portos, Gondomar, e shiti te Pacos de Ferreira në moshën 16-vjeçare. Por karriera në lulëzim u rrezikua një vit më pas, kur iu zbulua një problem me zemër gjatë testeve para fillimit të edicionit.

Jota qëndroi i qetë, ashtu si qëndronte para portave kundërshtare.

“E dija që kjo mund të thoshte të hiqja dorë nga futbolli, por nuk e besova për asnjë sekondë se do të ndodhte”, kishte thënë portugezi në vitin 2021.

Ai mungoi në fazën përgatitore dhe në fillim të edicionit 2014/15, para se të merrte lejen për t’u kthyer në futboll.

Motivimi i tij ishte i dukshëm. Ai i ishte drejtuar koordinatorit të ekipit të të rinjve në Pacos de Ferreira, Gilberto Andrade, duke i kërkuar ndihmë për ta mësuar një gjuhë të huaj. Atëbotë 17-vjeçar, Jota i tha Andrades se shpresonte të luante jashtë Portugalisë një ditë dhe se donte të ishte gati për këtë.

Lëvizja e parë jashtë Portugalisë ishte e shkurtër. Iu bashkua Atletico Madridit në vitin 2016, përpara se të huazohej te Porto. Vëllai i tij, Andre Silva, i cili gjithashtu vdiq në aksidentin e orëve të para të së enjtes, ishte në mesin e të rinjve te Porto.

Jota më pas u bë i njohur në Angli, kur u bashkua me Wolvesin, fillimisht si huazim nga Atletico në korrik të vitit 2017. Lëvizja u bë e përhershme pasi e tregoi klasin e tij. Përfundoi duke shënuar 44 gola në 133 ndeshje. Më pas kaloi te Liverpooli.

Sulmuesi u bë hero te Wolvesi, duke i shënuar 18 gola në 46 paraqitje në të gjitha garat e edicionit 2017/18. Skuadra u kthye në elitën angleze si fituese e Championshipit.

Ai kaloi formën më të mirë si golashënues te Liverpooli në edicionin 2021/2022. I shënoi 21 gola në 55 ndeshje. Te Liverpooli gjithsej i kishte 65 gola në 182 paraqitje.

Shumë i dashur nga shokët e ekipit dhe tifozët e Liverpoolit, Jota u përshtat lehtësisht në sulmin e fuqishëm dhe me plot aksion të Kloppit. Nën drejtimin e Arne Slot, ai u zgjodh shpesh sulmuesi qendror në vend të lojtarit të shtrenjtë, Darwin Nunez. Dhe Liverpooli e fitoi titullin e 20-të në histori.

Jota, gjithashtu, ishte forcë në nivel ndërkombëtar me Portugalinë, duke luajtur rolin e tij në finalen e Ligës së Kombeve ndaj Spanjës. E fitoi këtë garë për herë të dytë. Finalja e para një muaji ishte “prekja” e fundit e një karriere të shkëlqyer që u ndërpre në kulmin e saj.

Lexo përditësimet tjera
Diogo Jota

Vdiq Diogo Jota i Liverpoolit

Futbollisti i Liverpoolit dhe Portugalisë, Diogo Jota, ka vdekur në një aksident trafiku.Mediumi spanjoll Marca kanë...