Futbollisti i Liverpoolit dhe Portugalisë, Diogo Jota, ka vdekur në një aksident trafiku.

Mediumi spanjoll Marca kanë raportuar se aksidenti ka ndodhur në autostradën e zonës së Zamorës, pranë qytetit Palacios de Sanabria.

Ai po udhëtonte me vëllanë e tij, Andre, 26-vjeçar, që po ashtu humbi jetën.

Makina u përfshi nga flakët kur ndodhi aksidenti.

I lindur në Porto, Jota e nisi karrierën e tij si lojtar nëpërmjet ekipit të të rinjve, para se të transferohej te Athletico Madrid në 2016-n.

Më pas u transferua te Wolverhapmton, derisa më pas kaloi te gjiganti anglez, Liverpool. 28-vjeçari ishte pjesë e skuadrës së Portugalisë, që fitoi Ligën e Kombeve në vitet 2019 dhe 2025.

Jota ishte rrugës për në traget kur ndodhi aksidenti, ishte këshilluar të mos përdorte aeroplanin

31 min. më parë / 3 kor 2025 17:06
Diogo Jota

Diogo Jota ishte nisur për të kapur tragetin nga Spanja drejt Anglisë kur ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën. Sulmuesi i Liverpoolit kishte vendosur të shmangte fluturimin për shkak të një ndërhyrjeje të vogël kirurgjikale, pas këshillës së mjekëve që të mos udhëtonte me aeroplan.

BBC raporton se Jota kishte planifikuar të kthehej në Liverpool për përgatitjet parasezonale përmes rrugës tokësore dhe detare. 28-vjeçari kishte marrë rrugën nga Porto me veturë, për të arritur në portin e Santanderit, në veri të Spanjës, prej nga do të udhëtonte me traget drejt Britanisë së Madhe.

Udhëtimi përfshinte edhe një ndalesë në Zamora, një qytet i afërt me kufirin portugez, rreth 300 kilometra nga Porto dhe afërsisht po aq nga porti. Pikërisht në këtë segment rrugor ndodhi aksidenti fatal, ku humbi jetën bashkë me vëllain dy vite më të vogël, Andre.

Jota kishte bërë të njëjtën rrugë në drejtim të kundërt vetëm pak ditë më parë, për të qenë në Porto për dasmën e tij. Ai pritej të kthehej në Angli për t'iu bashkuar skuadrës së Liverpoolit në fillim të javës së ardhshme.

Jota, golashënuesi natyral me rol vendimtar në sukseset e Liverpoolit

1 o. më parë / 3 kor 2025 16:32
Diogo Jota

Diogo Jota, i cili vdiq të enjten në një aksident me veturë në moshën 28-vjeçare, ishte golashënues natyral, që luajti rol vendimtar në sukseset e Liverpoolit në vitet e fundit, si dhe në triumfet e Portugalisë në Ligën e Kombeve.

Jota ishte transferuar te Liverpooli për 45 milionë funte nga Wolverhamptoni në shtator të vitit 2020, pasi e ndihmoi ekipin e Nuno Espirito Santos të kthehej në Premier League.

Qetësia para portës e bëri Jotan fitues në shumë raste nën drejtimin e Jurgen Kloppit dhe më pas të Arne Slotit.

Disa e konsideruan atë si golashënuesin më natyral të Liverpoolit, pavarësisht pranisë në ekip të njërit prej lojtarëve më të mëdhenj në histori të të kuqve, Mohamed Salah.

“Ai është lojtar që na jep shumë opsione. Është 23-vjeçar, mund të zhvillohet ende, por ka shumë potencial”, kishte thënë Klopp kur e kishte transferuar Jotan. “Ai e ka shpejtësinë, mund të bashkëpunojë me lojtarët e tjerë, mund të mbrohet, mund të bëjë presion. Na jep opsione të shumta në sisteme të ndryshme”, kishte shtuar tekniku gjerman.

Jota i solli gjitha këto te Liverpooli dhe shumë më tepër.

Ishte në ekipin që fitoi Kupën FA dhe Kupën e Ligës në vitin 2022. Ndonëse u pengua nga lëndimet, ai dha kontribut të rëndësishëm në edicionin e fundit.

Shënoi me goditje me kokë golin e barazimit ndaj Nottingham Forestit në janar, disa sekonda pasi hyri si zëvendësues. Pastaj e shënoi golin e fitores në derbin “Merseyside” kundër Evertonit në prill.

Goli i Jotas kundër rivalit lokal i përmblodhi të gjitha cilësitë që e bënë atë figurë të pëlqyer midis tifozëve të Liverpoolit. Liverpooli po e rifitonte dominimin ndaj rivalit lokal.

Ai e preku dy herë topin në një zonë të mbushur me lojtarë. Shmangu mbrojtësit e Evertonit para se ta gjuante me këmbën e djathtë dhe të festonte para tifozëve të zjarrtë të Liverpoolit.

Ai mungoi gjatë në fillim të edicionit për shkak të një lëndimi në brinjë. Por kur u kthye, e shfaqi prekjen e sigurt para portës dhe aftësinë për të qenë në vendin e duhur në kohën e duhur.

Salah mori më shumë vëmendje, por golat e Jotas ishin shpesh vendimtarë. Mbrojtjet i janë frikësuar gjithnjë, për shkak të aftësisë së shënimit të golave.

Pasi ishte rritur shumë, klubi lokal nga zona e Portos, Gondomar, e shiti te Pacos de Ferreira në moshën 16-vjeçare. Por karriera në lulëzim u rrezikua një vit më pas, kur iu zbulua një problem me zemër gjatë testeve para fillimit të edicionit.

Jota qëndroi i qetë, ashtu si qëndronte para portave kundërshtare.

“E dija që kjo mund të thoshte të hiqja dorë nga futbolli, por nuk e besova për asnjë sekondë se do të ndodhte”, kishte thënë portugezi në vitin 2021.

Ai mungoi në fazën përgatitore dhe në fillim të edicionit 2014/15, para se të merrte lejen për t’u kthyer në futboll.

Motivimi i tij ishte i dukshëm. Ai i ishte drejtuar koordinatorit të ekipit të të rinjve në Pacos de Ferreira, Gilberto Andrade, duke i kërkuar ndihmë për ta mësuar një gjuhë të huaj. Atëbotë 17-vjeçar, Jota i tha Andrades se shpresonte të luante jashtë Portugalisë një ditë dhe se donte të ishte gati për këtë.

Lëvizja e parë jashtë Portugalisë ishte e shkurtër. Iu bashkua Atletico Madridit në vitin 2016, përpara se të huazohej te Porto. Vëllai i tij, Andre Silva, i cili gjithashtu vdiq në aksidentin e orëve të para të së enjtes, ishte në mesin e të rinjve te Porto.

Jota më pas u bë i njohur në Angli, kur u bashkua me Wolvesin, fillimisht si huazim nga Atletico në korrik të vitit 2017. Lëvizja u bë e përhershme pasi e tregoi klasin e tij. Përfundoi duke shënuar 44 gola në 133 ndeshje. Më pas kaloi te Liverpooli.

Sulmuesi u bë hero te Wolvesi, duke i shënuar 18 gola në 46 paraqitje në të gjitha garat e edicionit 2017/18. Skuadra u kthye në elitën angleze si fituese e Championshipit.

Ai kaloi formën më të mirë si golashënues te Liverpooli në edicionin 2021/2022. I shënoi 21 gola në 55 ndeshje. Te Liverpooli gjithsej i kishte 65 gola në 182 paraqitje.

Shumë i dashur nga shokët e ekipit dhe tifozët e Liverpoolit, Jota u përshtat lehtësisht në sulmin e fuqishëm dhe me plot aksion të Kloppit. Nën drejtimin e Arne Slot, ai u zgjodh shpesh sulmuesi qendror në vend të lojtarit të shtrenjtë, Darwin Nunez. Dhe Liverpooli e fitoi titullin e 20-të në histori.

Jota, gjithashtu, ishte forcë në nivel ndërkombëtar me Portugalinë, duke luajtur rolin e tij në finalen e Ligës së Kombeve ndaj Spanjës. E fitoi këtë garë për herë të dytë. Finalja e para një muaji ishte “prekja” e fundit e një karriere të shkëlqyer që u ndërpre në kulmin e saj.

Agim Ademi: Trashëgimia e Jotas do të kujtohet gjithmonë

2 o. më parë / 3 kor 2025 14:58
Agim Ademi

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i është bashkuar drejtuesve të tjerë të federatave duke shprehur ngushëllime për vdekjen e lojtarit të Liverpoolit, Diogo Jota.

“I trishtueshëm lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të futbollistit të mirënjohur portugez, Diogo Jota dhe vëllait të tij, André Silva.

Kjo është një humbje e rëndë jo vetëm për familjen dhe sportin portugez, por për të gjithë komunitetin e futbollit botëror.

Si Federatë e Futbollit të Kosovës shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerëve, Federatës së Futbollit të Portugalisë, FC Liverpool dhe FC Penafiel si dhe për të gjithë ata që e çmuan dhe e ndoqën me admirim karrierën e këtij futbollisti të jashtëzakonshëm.

Trashëgimia që Diogo Jota la pas do të kujtohet përgjithmonë!”, ka shkruar Agim Ademi.

Klopp: Do të na mungosh shumë

2 o. më parë / 3 kor 2025 14:50
Jurgen Klopp

Ish-trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp i ka bërë homazh Diogo Jotas, të cilin e kishte transferuar te të kuqtë nga Wolverhamptoni në vitin 2020.

“Më është thyer zemra kur kam dëgjuar për ndarjen nga jeta të Diogos dhe vëllait të tij, Andres. Diogo nuk ishte vetëm lojtar fantastik, por ehde një mik i shkëlqyer dhe baba i dashur e i kujdesshëm. Do të na mungosh shumë. Të gjitha lutjet, mendimet dhe fuqia ime është për Ruten, fëmijët, familjen, miqtë dhe të gjithë ata që e donin”, ka shkruar Klopp.

Shaqiri publikon fotografi me Jotan: Pusho në paqe vëlla

4 o. më parë / 3 kor 2025 13:08
Xherdan Shaqiri dhe Diogo Jota

Për vdekjen tragjike të futbollistit portugez, Diogo Jota, ka reaguar edhe ylli i Baselit, Xherdan Shaqiri.

Shaqiri me Jotan kanë qenë bashkëlojtar te Liverpooli. Shaqiri ka ndarë një fotografi me Jotan me mbishkrimin “pusho në paqe vëlla”.

Shaqiri për Liverpoolin luajti nga viti 2018 deri në vitin 2021.

Së bashku fituan Ligën e Kampionëve dhe Premier Leaguen.

Tifozët e Liverpoolit po mblidhen në afërsi të Anfieldit, Jota ishte shumë i dashur për ta

5 o. më parë / 3 kor 2025 12:34
Liverpool

Tifozët kanë nisur të mblidhen në afërsi të stadiumit “Anfield” në Liverpool. Ata kanë nisur të vendosin lule duke i bërë homazhe Diogo Jotas në memorialin “Hillsborough”.

Sulmuesi portugez është pëlqyer nga tifozët e Liverpoolit. Kënga që tifozët e kënduan për Jotan dhe udhëheqjen e tij drejt fitores, ishte prej më të njohurave në vitet e fundit të suksesshme të skuadrës së kuqe.

Jota ishte golashënues i shpeshtë, por këmbëngulja, puna e tij dhe karakteri i qetë e bënë atë edhe më të dashur si person.

Njerëzit në Liverpool janë të tronditur dhe thellësisht të trishtuar për vdekjen e portugezit, shkruan BBC.

Ronaldo për Jotan: Do të na mungosh të gjithëve

5 o. më parë / 3 kor 2025 12:22
ronaldo

Superylli i futbollit, Cristiano Ronaldo, ka reaguar përmes një postimi për vdekjen e Diogo Jotas dhe vëllait të tij.

“Nuk ka kuptim. Vetëm pak kohë më parë ishim bashkë në ekipin përfaqësues dhe më pas ti u martove. Familjes tënde, gruas dhe fëmijë të tu, u dërgoj ngushëllimet e mia dhe ju uroj gjithë forcën e botës. E di që do të jesh gjithmonë me ta. Pushoni në paqe Diogo dhe Andre. Do të na mungoni të gjithëve”, ka shkruar Ronaldo.

Diogo Jota ishte 28-vjeçar, e vëllai i tij, Andre, 25.

FSHF-ja shpreh ngushëllime për vdekjen e Jotas

5 o. më parë / 3 kor 2025 11:54
Diogo Jota

Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllime për vdekjen e futbollistit portugez të Liverpoolit, Diogo Jota.

"Federata Shqiptare e Futbollit shpreh ngushëllimet më të sinqerta për ndarjen tragjike nga jeta të futbollistit të kombëtares portugeze dhe Liverpool FC, Diogo Jota, si dhe të vëllait të tij, André Silva, futbollist i klubit FC Penafiel.

Në këto momente të dhimbshme, FSHF i qëndron pranë Federatës Portugeze të Futbollit, klubeve Liverpool FC dhe FC Penafiel, si dhe familjes Silva.

Një humbje e rëndë për futbollin dhe për gjithë komunitetin sportiv", shkruan FSHF-ja.

Liverpooli: Jemi të shkatërruar nga ndarja tragjike e Diogo Jotas

6 o. më parë / 3 kor 2025 11:30
Diogo Jota

Liverpooli ka lëshuar njoftimin e parë për vdekjen e yllit të kësaj skuadre, Diogo Jota.

Portugezi 28-vjeçar vdiq në një aksident komunikacioni në Spanjë.

Ka vdekur edhe vëllai i Jotas, po ashtu futbollist.

“Klubi është informuar se 28-vjeçari ka ndërruar jetë pas një aksidenti rrugor në Spanjë, së bashku me vëllain e tij, Andre. Liverpooli nuk do të bëjë asnjë koment të mëtejmë në këtë kohë dhe kërkon që privatësia e familjes, miqve, bashkëlojtarëve dhe stafit të Diogos dhe Andre të respektohet, ndërsa ata përpiqen të përballojnë një humbje të paimagjinueshme. Ne do të vazhdojmë t’ua ofrojmë atyre mbështetjen e plotë”, shkruan në njoftimin e Liverpoolit.

Për vdekjen e dy vëllezërve ka reaguar edhe Manchester Unitedi, që i shprehu ngushëllime Liverpoolit.

“Ngushëllimet tona më të thella janë me të dashurit e Diogo Jotes dhe vëllait të tij, Andres, dhe me të gjithë ata që janë të lidhur me Liverpool FC pas lajmit të hidhur të sotëm”, thuhet në reagim.

Federata portugeze: Kemi humbur dy kampionë

6 o. më parë / 3 kor 2025 11:13
Diogo Jota

Federata e Futbollit të Portugalisë ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Diogo Jotas dhe vëllait të tij, Andre Silva.

Dy futbollistët vdiqën në një aksident që ndodhi në natën mes të mërkurës e së enjtes në Spanjë.

“Shumë më tepër se vetëm një lojtar fantastik, me pothuajse 50 ndeshje me Portugalinë, Diogo Jota ishte një person i jashtëzakonshëm, i respektuar nga të gjithë shokët e ekipit dhe kundërshtarët. Në emrin tim dhe në emër të federatës portugeze të futbollit, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe miqtë e Diogos dhe Andore Jotas, si dhe për Liverpoolin dhe Penafielin, klubet ku luajtën dy lojtarët. Kemi humbur dy kampionë. Vdekja e Diogo dhe Andre Silvas është humbje e pariparueshme për futbollin portugeze dhe ne do të bëjmë çdo gjë të mundur për të nderuar trashëgimin e tyre”, shkruan në letrën e presidentit të federatës portugeze, Pedro Proença.

Edhe vëllai i Jotas ishte futbollist

6 o. më parë / 3 kor 2025 11:05
Diogo Jota

Në aksidentin fatal në Spanjë i vdekur mbeti edhe vëllai i Diogo Jotas, Andre Silva. Ai vdiq në moshën 25-vjeçare.

Andre Silva po ashtu ishte futbollist. Së fundi luajti për Penafielin e kategorisë së dytë portugeze.

Më herët ishte te skuadra të tjera portugeze.

Deklarata e Gardës Civile Spanjolle për aksidentin e Diogo Jotas

6 o. më parë / 3 kor 2025 11:04
Diogo Jota

Garda Civile Spanjolle ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës ka konfirmuar vdekjen e futbollistit Diogo Jota dhe vëllait të tij, Andre Filipe.

“Informacioni që kemi deri më tani është se vetura Lamborghini, u përfshi në një aksident rrugor dhe doli nga rruga për shkak të shpërthimit të një gome gjatë tejkalimit. Kjo ndodhi në orët e para të mëngjesit, në komunën Cernadilla në provincën e Zamoras. Vetura u përfshi nga flakët dhe dy pasagjerët mbetën të vdekur”.

Nga Garda Civile kanë konfirmuar se të vdekur mbetën Jota dhe vëllai i tij.

Aksidenti fatal ndodhi në ora 00:30 në natën mes të mërkurës e së enjtes.

Diogo Jota vdiq në moshën 28-vjeçare. I lindur në Porto të Portugalisë, ai e nisi karrierën te Paços de Ferreira. Nga viti 2016 deri në vitin 2018 ishte pjesë e Atletico Madridit, por luajti i huazuar te Porto dhe Wolverhamtoni.

Te Wolverhamtoni u transferua në vitin 2018, ndërsa prej vitit 2020 ka luajtur me sukses të plotë te Liverpooli.

Për Portugalinë i ka luajtur 49 ndeshje, ndërsa ka realizuar 14 gola.

Jota vdiq dy javë pasi u martua

6 o. më parë / 3 kor 2025 11:02
Diogo Jota

Aksidenti fatal që la të vdekur Diogo Jotan dhe vëllain e tij, Andre Felipe, ndodhi më pak se dy javë pasi futbollisti i njohur i Liverpoolit u martua.

Jota u martua me Rute Cardoson më 22 qershor, shkruan BBC.

Në postimin e shpërndarë nga çifti në rrjetet sociale, shkruan: “Po, për gjithmonë”.