Lojtarët e Liverpoolit dhe të Portugalisë iu bashkuan familjes dhe miqve të Diogo Jotas në funeralin e ish-yllit të Liverpoolit dhe vëllait të tij. Varrimi i Jotas dhe vëllait të tij, Andre Silva, u bë të shtunën paradite, dy ditë pasi ata vdiqën në një aksident me veturë në Spanjë.
Kapiteni i Liverpoolit, Virgil Van Dijk arriti duke mbajtur një punim me lule të kuqe, në formën e një fanelle të futbollit me numrin 20, që e mbante Jota. Andy Robertson e mbante një punim të ngjashëm me numrin 30, që e mbante Andre Silva te klubi portugez Penafiel.
Trajneri Arne Slot ishte pjesë e delegacionit të madh të Liverpoolit.
Reprezentuesi portugez, Ruben Neves, ndihmoi në bartjen e arkivolit, një ditë pasi luajti në nderim të Diogo Jotas në Kupën e Botës për Klube në SHBA. Ai dhe Jota ishin shokë ekipi te Wolverhamptoni më herët në karrierë.
Neves dhe Joao Cancelo morën pjesë në funeral pasi luajtën në Orlando të SHBA-së të premten. Skuadra e tyre, Al Hilal, u mposht nga Fluminense. Të dy lojtarët kanë qarë kur u mbajt një minutë heshtje në ndeshjen e së premtes mbrëma.
Shërbesa e së shtunës është mbajtur në kishën “Igreja Matriz” në qytetin portugez Gondomar, ku Jota e kishte një shtëpi.
Morën pjesë familjarë dhe qindra miq e të njohur, përfshirë lojtarët e klubit lokal Gondomar, ku Jota filloi të luante në moshën nëntëvjeçare.
Selektori i Portugalisë, Roberto Martinez dhe lojtarë të njohur portugezë morën pjesë, gjithashtu. Prezente ishte edhe dyshja e Manchester Cityt, Bernardo Silva dhe Ruben Dias, si dhe Bruno Fernandes i Manchester Unitedit.
“Këto ditë janë vërtet të trishtueshme, por sot treguam se jemi familje e madhe dhe e afërt. Shpirti i tyre do të jetë gjithmonë me ne”, ka thënë Martinez.
Ipeshkvi i Portos, Manuel Linda, e ka drejtuar meshën e funeralit. Kisha ishte e mbushur plot, ndërsa shumë njerëz e ndoqën shërbesën jashtë, përmes altoparlantit. Më pas arkivolet u dërguan në varrezat pranë kishës.
Jota vdiq më pak se dy javë pasi u martua me partneren shumëvjeçare, Rute Cardoso. Ai ishte për pushime në Portugali pas një edicioni të gjatë e të suksesshëm me Liverpoolin.