Tre vjet, një muaj e dymbëdhjetë ditë pas debutimit të tij me Sevillan, Adnan Januzaj festoi golin e tij të parë me fanellën e skuadrës spanjolle. Ose më saktë golat e tij të parë, të realizuar kundër Toledos në raundin e parë të Kupës së Mbretit. Dy golat e realizuar nga Januzaj çuan Sevillan në 2:1 dhe 3:1, duke vulosur rikthimin që ia mundësoi Sevillas në fund fitoren 4:1 dhe kalimin në raundin tjetër.
Qëkur iu bashkua Sevillas si lojtar i lirë në ditët e fundit të afatit kalimtar të verës në vitin 2022, Januzaj kishte përjetuar një sërë periudhash zhgënjyese si lojtar i huazuar. Ai shënoi gola gjatë periudhave të huazimit te skuadra turke Bashakshehir dhe Las Palmas, por jo te Sevilla. Mungesa e minutazhës në fushë e pengoi suksesin e tij. Januzaj ka luajtur vetëm 648 minuta në 24 ndeshje për Sevillan gjatë tri edicioneve dhe këtij aktual.
Por gjithçka ka ndryshuar për të pas ardhjes së trajnerit Matias Almeyda. Edhe pse nuk e ka të garantuar ende vendin e titullarit, duke luajtur vetëm 215 minuta në shtatë ndeshje, trajneri argjentinas, sa u përket statistikave, ka pasur besim më shumë tek ai. As Julien Lopetegui, i cili i kërkoi Jorge Sampaoli, Diego Alonso, Sanchez Flores, nuk i dhanë kaq shumë mundësi.
“Pata disa probleme të vogla fizike, por ndihem shumë më mirë tani që po fitoj më shumë kohë në fushë. Kjo është mirë për t’u përgatitur dhe për të ecur përpara”, tha Januzaj pas ndeshjes.
Ai ka theksuar se për Sevillan ishte ndeshje e vështirë. Por është i lumtur që ka ndihmuar ekipin e tij ta sigurojë kalimin tutje.
“Po largohemi shumë të lumtur nga ky udhëtim, sepse të gjithë e dinë që ndeshje të tilla janë gjithmonë të vështira për t’u fituar. Për ta ishte ndeshja e jetës së tyre, ata dhanë gjithçka. Por gjëja më e rëndësishme është që fituam dhe u kualifikuam tutje”.
Marrë parasysh numrin e lëndimeve te Sevilla, futbollisti që ka luajtur për Belgjikën në të kaluarën, pritet ta ketë rastin e tij të shtunën, qoftë duke u aktivizuar edhe nga stoli.
“Fitorja është gjithmonë e mirë për ndeshjen e radhës. Të jep shumë besim. Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të fituar ndeshjet e ardhshme, sepse jemi ekip i mirë dhe do të japim maksimumin”, është shprehur Januzaj.
Ndeshjen e ardhshme Sevilla e ka të shtunën. Nuk do ta ketë aspak të lehtë këtë përballje. Do të udhëtojnë në “Metropolitano” për t’u përballur me Atletico Madridin e drejtuar nga Diego Simeone.
Trajneri i Sevillas, Matias Almeyda, është i lumtur me dygolëshin e Januzajt.
"Nuk kam folur me të që nga ndeshja, por kam folur shumë me të nga fillimi i përgatitjeve për këtë sezon, si me të tjerët. Të gjithë luajtën mirë, por kjo është mirë për të, sepse ai gjithmonë ka tërhequr shumë kritika. Të shënosh dy gola në këtë sport nuk është e lehtë, jam i lumtur për të, për Kiken për të gjithë”, tha Matias Almeyda në konferencë për media.
Januzaj 30-vjeçar me Sevillan ka kontratë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Almeyda besoi fuqishëm në vlerat e Januzajt dhe kërkoi nga drejtuesit e klubit ta mbanin edhe më gjatë në skuadër. Dhe sot, Januzaj ka shpërblyer pak këtë besim.