Futboll

Jackson kërkon falje për kartonin e kuq

Nicolas Jackson

Nicolas Jackson u ka kërkuar falje tifozëve të Chelseat pasi u përjashtua nga loja me direkt karton të kuq, në disfatën 3:1 të skuadrës së tij nga Flamengo në Kupën e Botës për Klube. 

Chelsea ishte duke humbur 2:1 kur sulmuesi u përjashtua nga loja në minutën e 68-të, vetëm katër minuta pasi e zëvendësoi Liam Delapin. 

Ai bëri ndërhyrje të ashpër në mbrojtësin e Flamengos, Ayrton Lucas. 

“Dua t’u them më fal klubit, stafit, bashkëlojtarëve dhe gjithë tifozëve që na kanë shikuar. Një tjetër karton i kuq, dhe sinqerisht, jam shumë i inatosur me veten. Dua ta ndihmoj ekipin çdo ditë dhe të mos e lë në situatë të tillë”, shkroi ai në Instagram. 

Kartoni i kuq do të thotë se senegalezi nuk do të mund të luajë të martën ndaj Esperances. 

Jacksoni mori karton të kuq edhe në muajin e kaluar në fitoren 2:0 të Chelseat ndaj Newcastlet.