Zvicra e luan të hënën ndeshjen e dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Dhe përzgjedhësi Murat Yakin nuk e planifikon asnjë ndryshim në formacion.
Ai i beson plotësisht ekipit që të premten e “shkatërroi” Kosovën, 4:0. Të katër golat ndaj Kosovës ishin shënuar në pjesën e parë dhe Yakini starton me përbërje të njëjtë edhe ndaj Sllovenisë, të hënën, nga ora 20:45, po në Basel.
Formacioni do të ndryshojë vetëm nëse Ricardo Rodriguez nuk rikuperohet me kohë.
Derisa në ndeshjen ndaj Kosovës stadiumi ishte i mbushur plot, ndaj Sllovenisë priten shumë vende të lira. Deri të dielën janë shitur vetëm 10 mijë e 200 bileta. Është vetëm një e treta e kapacitetit të stadiumit “St. Jakob-Park”.
“Nuk ka arsye për të bërë ndryshime. Do të përcjellim gjendjen e Rodriguezit, që prej dje ishte mirë. Nëse ai nuk është plotësisht gati, kemi alternativa të mjaftueshme”, ka thënë Yakin në konferencë për shtyp, të dielën.
Denis Zakaria vlerësohet kandidat i fortë për mesfushën e Zvicrës. Por Yakini i beson Granit Xhakës e Remo Freulerit.
“Dua gjithnjë të aktivizoj më të mirët. Denisi është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Por, nuk përshtatet shumë në këtë sistem. Të kalohen Xhaka e Freuleri është shumë e vështirë. Ata përshtaten shumë mirë. Për këtë arsye nuk dua të ndryshoj në këtë moment. Më vjen keq për të”, ka thënë Murat Yakin.
Edhe
Për Yakinin nuk ka duel vëllazëror, ai pret fitore
Sllovenia në ndeshjen e parë luajti 2:2 me Suedinë. Ndeshja u zhvillua në Lubjanë.
“Kemi parë shumë ndeshje të Sllovenisë. Një ekip interesant që luan i organizuar dhe me disiplinë. Duhet të kemi kujdes sidomos për Benjamin Sheshkon. Ai është i paparashikueshëm. Sllovenia po ashtu e ka një portier të klasit botëror, Jan Oblakun”, ka shtuar selektori zviceran.
Njëjtë si ndaj Kosovës, Zvicra vlerësohet favorite ndaj Sllovenisë.