Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Humbja e Kosovës nga Turqia “prek” edhe klubet

Kosova

Foto: Driton Paçarada

Vedat Muriqi kthehet te Mallorca pas paraqitjes me Kosovën në plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026.

Në klubet përkatëse janë kthyer edhe lojtarët e tjerë për të vazhduar punën për ndeshjet në fundjavë. Por a do ta kenë freskinë të ndihmojnë klubet e tyre?

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për këtë çështje kanë shkruar të paktën dy mediumet, “Bild” dhe “Ultima Hora”.

“Golashënuesi më i mirë i Mallorcas me 18 gola në LaLiga deri më tani këtë sezon, kthehet në ishull pas zhgënjimit të mosrealizimit të një ëndrre. Pas humbjes ndaj Turqisë, Muriqi e përfundoi ndeshjen i shkatërruar, siç mund të shihej në pamjet televizive, megjithëse me sa duket pa probleme fizike para se të kthehej në Palma”, shkruan mediumi spanjoll “Ultima Hora” të enjten.

Mallorca të shtunën luan ndeshje të vështirë kundër Real Madridit. Por ka dilema nëse Muriqi është i gatshëm emocionalisht dhe fizikisht për të përballuar ndeshjen ndaj Realit pas disfatës së Kosovës nga Turqia. Muriqi kompletoi të dy ndeshjet, kundër Sllovakisë në gjysmëfinale dhe finale kundër Turqisë.

“Duke marrë parasysh gjithçka që u përmend, si aspektin emocional ashtu edhe sforcimin fizik të akumuluar prej 180 minutash të luajtura në dy ndeshje, dhe duke marrë parasysh atë që e pret Mallorcan, me çdo ndeshje që tani është një fitore e domosdoshme për të qëndruar në La Liga, trajneri përballet me një dilemë. A duhet të zgjedhë sulmuesin e tij yll në formacionin titullar kundër Real Madridit, apo të shikojë alternativa të tjera dhe të jetë gati për dy ndeshjet e ardhshme kundër Rayo Vallecano dhe Valencias - ndeshje që, në letër, i ofrojnë Mallorcës një shans më të mirë për të avancuar? Kjo, së bashku me formacionin taktik kundër Realit, janë pyetjet kryesore që e rrethojnë trajnerin kur kanë mbetur pak më shumë se 48 orë para fillimit të saj”, shkruan tutje mediumi spanjoll.

Ngjashëm me mediumin “Ultima Hora”, të enjten ka shkruar edhe gazeta gjermane “Bild”.

“Bild” ka publikuar një shkrim për tre lojtarë të Fortuna Dusseldorfit. Pjesë e kësaj skuadre është edhe ylli i Kosovës, Florent Muslija.

“Pas asaj që ishte ndoshta momenti më i hidhur i karrierës së tij, Florent Muslija rikthehet në realitetin e zymtë të betejës për rënie nga kategoria. Të martën, ylli i Fortuna Dusseldorf nuk arriti të shkruante histori me Kosovën, pasi Turqia ia rrëmbeu vendit kualifikimin e parë në Kupën e Botës në ndeshjen në Prishtinë. Pasi shënoi gol  në fitoren 4:3 ndaj Sllovakisë, Muslija u mbush me një hidhërim të thellë pas humbjes në finale kundër Turqisë”, shkruan “Bild”. “Pra, magjistari do të duhet të përqendrohet në planifikimin e pushimeve të tij verore në vend të turneut të Kupës së Botës në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Megjithatë, përpara pushimeve, Fortuna Dusseldorf ka nevojë të madhe për të në përpjekjen e tyre për të shmangur rënien nga Bundesliga e dytë . Atje, Muslija, me katër gola dhe pesë asistime, është golashënuesi i dytë më i mirë i ekipit. Prandaj, Fortuna duhet të shpresojë që lojtari i huazuar nga Freiburgu të rikuperohet shpejt nga tronditja e Kupës së Botës dhe të rikthehet në formën e tij më të mirë deri të shtunën në Kaiserslautern”.

Për gjendjen e rënduar emocionale, të enjten ka folur edhe trajneri i Fortuna Dusseldorfit, Markus Anfang.

“Muslija ka përjetuar dy ndeshje krejtësisht të ndryshme – një fitore dhe një humbje. Ai i ka luajtur 90 minuta në të dyja ndeshjet dhe ka dhuruar paraqitje shumë të mirë. Natyrisht, edhe zhgënjimi është i përfshirë. Duke e shtuar këtu kohën që ka luajtur dhe udhëtimin, do të shohim se sa shpejt mund të rikuperohet”.

Ai ka thënë se me Muslijan do të flasë të premten.

“Do të flasim me të nesër në detaje. Në njërën anë, ai është profesionist, por në anën tjetër, është njeri i cili duhet të përballet edhe me zhgënjimet. Do ta përkrahim atë dhe do të shohim se si mund ta ndihmojmë që ai të zhvillohet edhe më shumë”, ka thënë Anfang.

Në dyshim për t’u paraqitur te Hoffenheimi kundër Mainzit është edhe Albian Hajdari.

Qendërmbrojtësi Hajdari lëndoi kokën në ndeshjen ndaj Turqisë. Te Hoffenheimi është edhe sulmuesi Fisnik Asllani, që po ashtu luajti për Kosovën kundër Sllovakisë dhe Turqisë.

Kosovës i mungoi për shkak të lëndimit mesfushori Leon Avdullahu. Avdullahu u lëndua pak para se Kosova t’i niste përgatitjet për plejofin kualifikues për Kupën e Botës 2026.