Llapi ka zyrtarizuar përforcimin më të ri në repartin ofensiv, duke arritur marrëveshje me sulmuesin qendror Axel Gnapi. 23-vjeçari nga Franca ka firmosur kontratë dyvjeçare që do ta mbajë në Podujevë deri në qershor të vitit 2027.
Gnapi i bashkohet Llapit pas një periudhe gjashtëmujore te FC Prishtina, ku debutoi në futbollin kosovar. Shënoi dy gola.
Përpara se të vinte në Kosovë, ai ishte pjesë e disa klubeve franceze si Istres FC U19, AS Cannes, RC Grasse, AS Furiani, Racing Besançon dhe ASM Belfort.
“Me tiparet e tij, Gnapi do të forcojë edhe më tej fazën tonë sulmuese dhe pritet të japë kontribut të rëndësishëm në realizimin e objektivave të klubit,” thuhet në njoftimin e klubit nga Podujeva.
Me këtë lëvizje, Llapi ka thënë se po vazhdon ndërtimin e një skuadre konkurruese për sezonin e ri, duke synuar përmirësimin e paraqitjeve dhe rezultateve.