Futboll

Garë e fortë në Premier League për zonën “Champions”

Chelsea

Gara në Premier League për të zënë një pozitë që dërgon në Ligën e Kampionëve në edicionin e ardhshëm vazhdon të jetë e hapur.

Pesë pozitat e para dërgojnë në “Champions” nga kampionati anglez. Tashmë titullin e kampionit e ka siguruar Liverpooli. “Të kuqtë” e mbajnë pozitën e parë me 82 pikë. Arsenali ka 67 pikë dhe e zë vendin e dytë. Tri pikë më pak i ka Manchester City një pozitë më poshtë.

Newcastle Unitedi në vendin e katërt ka 63 pikë. Pikë të njëjta ka edhe Chelsea në vendin e pestë.

Pikërisht Newcastle dhe Chelsea do të përballen të dielën nga ora 13:00.

Kjo ndeshje i takon javës së 36-të.

Deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro.

Newcastle i ka fituar shtatë nga 11 ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj Chelseat në Premier League. Po ashtu ka vetëm një humbje në shtatë ndeshjet e fundit në ligë. Edhe Chelsea është në ecuri të mirë të rezultateve. Ka gjashtë ndeshje pa humbje në elitën angleze.

Skuadra e Enzo Marescas, Chelsea, të enjten mbrëma e siguroi finalen në Ligën e Konferencës. Në gjysmëfinale e eliminoi skuadrën suedeze, Djurgarden.

Si për Newcastlen ashtu edhe për Chelsean pikët janë shumë të rëndësishme për të mbetur në zonën Champions. Pozitën e këtyre skuadrave e synojnë Nottinghami që renditet i gjashti me 61 pikë. Kualifikimin në Champions e kërkon edhe Aston Villa që renditet e shtata me 60 pikë.

Nottinghami të dielën nga ora 15:15 luan me Leicester Cityn tashmë të përshëndetur nga elita. Ndërkohë Aston Villa të shtunën nga ora 18:30 takohet në udhëtim me Bournemouthin. Bournemouthi është në vendin e tetë me 53 pikë.

Të dielën nga ora 17:30 do të luhet derbi ndërmjet Liverpoolit dhe Arsenalit.

Arsenali të mërkurën mbrëma u eliminua në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve nga Paris Saint-Germaini.

Skuadra e Arne Slotit, Liverpooli, xhiron e kaluar u mposht nga Chelsea me rezultatin 3:1. Xhiron e kaluar disfatë pësoi edhe Arsenali. “Topçinjtë” u mposhtën nga Bournemouthi me rezultatin 2:1. Arsenali sërish mbeti pa trofe këtë edicion. U eliminua edhe nga Kupa FA dhe nga EFL Cup.

Liverpooli ka 14 ndeshje pa humbje në shtëpi kundër Arsenalit në të gjitha garat.

Dy skuadrat janë përballur në 234 ndeshje. Liverpooli prin me 89 fitore, Arsenali ka 81 fitore dhe 64 herë ndeshja ka përfunduar baras.

Manchester City luan në udhëtim ndaj Southamptonit, të shtunën nga ora 16:00. Southamptoni renditet i fundit me vetëm 11 pikë.