Trajneri Zekirija Ramadani e di që për t’u bërë “lajm kryesor në Evropë” Dritës i duhet të eliminojë kundërshtarë të nivelit të Copenhagenit.
Kampionia e Kosovës, Drita, luan me kampionin danez, Copenhagenin, në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndeshja e parë është të martën, nga ora 19:00, në “Parken Stadium” në Kopenhagë.
Por cili është niveli i vërtetë i Copenhagenit?
Goxha i lartë. Kampioni i Luksemburgut, Differdange, të cilin Drita e eliminoi në raundin e parë kualifikues të Championsit, as për së afërmi nuk mund të “matet” me Copenhagenin.
Pak ditë më parë Copenhageni e transferoi një lojtar te Barcelona. Bëhet fjalë për talentin me pasaportë suedeze, Roony Bardghji. Kjo dëshmon për nivelin që kanë lojtarët e Copenhagenit. Po këtë verë Denis Vavro kaloi nga Copenhageni te Wolfsburgu i Bundesligës gjermane, ndërsa Kevin Diks te skuadra tjetër e elitës gjermane, Borussia Monchengladbach.
Edhe
Te Drita do të rrezikojnë më shumë në kërkim të suksesit
Copenhageni mori Youssoufa Moukokon nga Borussia Dortmundi për pesë milionë euro, ndërsa bëri edhe pesë transferime të tjera. Për pesë milionë e transferoi edhe Dominik Kotarskin e Kroacisë.
Copenhageni tashmë ka nisur mbrojtjen e titullit të kampionit në Danimarkë. Të premten fitoi 3:2 në udhëtim ndaj Viborgut.
Mohamed Elyounoussi, Elias Achouri dhe Magnus Mattsson i shënuan golat. Kundërshtari i Dritës është edhe fitues në fuqi i Kupës së Danimarkës. Në fazën përgatitore i luajti katër ndeshje, ndërsa e fitoi vetëm të fundit, ndaj Hamburgut.
Copenhageni, i njohur në Danimarkë si Kobenhavn, ka 16 tituj dhe dhjetë kupa të Danimarkës. Mban rekordin edhe për tituj, edhe për kupa, ndonëse si klub u themelua vetëm në vitin 1992.
Shquhet për organizimin dhe për bazën e madhe të tifozëve. Mbi 1.000 tifozë të kësaj skuadre ishin në ndeshjen e parë të këtij edicioni në udhëtim.
Përvoja e Copenhagenit në garat kontinentale është po ashtu shumë e vlefshme. Në edicionin e fundit arriti deri në një të tetën e finales në Ligën e Konferencës. U ndal nga Chelsea, që ndërkohë fitoi këtë garë e po ashtu Botërorin e Klubeve më pas. Në nokaut të raundit kualifikues e eliminoi skuadrën gjermane Heidenheim, ndërsa në fazën e ligës përfundoi në vendin e 18-të.
Në edicionin 2023/2024 ishte në fazën grupore të Ligës së Kampionëve, që ndërkohë është zëvendësuar me fazë të Ligës. Përfundoi në vendin e dytë në grup, para Galatasarayt e Manchester Unitedit dhe prapa Bayernit. Në një të tetën e finales ishte eliminuar nga Manchester City.
Në Champions ishte në fazën grupore edhe në edicionin 2022/2023, ndërsa mbeti prapa Manchester Cityt, Borussia Dortmundit dhe Sevillas. Nga garat kontinentale Copenhageni nuk mungon asnjëherë.
Edhe
Kampioni danez kërkon tjetër fitore në “Fadil Vokrri”
Në Champions dy herë ka arritur në një të tetën e finales, në Ligën e Evropës arriti deri në çerekfinale, ndërsa në Ligën e Konferencës deri në një të tetën e finales, po ashtu dy herë.
Gjitha këto fakte e bëjnë Copenhagenin kundërshtar shumë të vështirë për Dritën. Dhe eliminimi i kësaj skuadre vërtet do ta bënte “lajm ndërkombëtar” kampionen e Kosovës.