Futboll

Dritën e pret ndeshje e vështirë në Danimarkë

drita

Drita është bërë skuadra e parë kosovare që e ka kaluar me sukses rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në rundin e parë kualifikues, skuadra gjilanase e kaloi Differdangen, kampionin e Luksemburgut. Në “Fadil Vokrri”, kampionia kosovare fitoi 1:0, ndërsa në Luksemburg e konfirmoi avancimin duke fituar 3:2.

Tani Drita do të ketë punë dukshëm më të vështirë në raundin e dytë kualifikues. Skuadra e drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani do të përballet me kampionin në fuqi të Danimarkës, Copenhagenin. Pos historik, suksesi eventual ndaj Copenhagenit do të ishte i jashtëzakonshëm për ekipin kosovar.

Ndeshja e parë zhvillohet të martën prej orës 19:00 në “Parken Stadium” në Kopenhagë. Ndërkohë ndeshja e kthimit është më 29 korrik nga ora 20:00 në “Fadil Vokrri”.

Te Drita kanë zgjedhur të mos deklarohen para ndeshjes në të cilën kundërshtari është favorit i madh.

Trajneri Ramadani kishte pranuar se Copenhageni është ekip “ndryshe” nga Differdange.

“Nuk do të shkojmë me flamur të bardhë”, kishte thënë Zekirija Ramadani.

Për dallim nga gjilanasit, te Copenhageni kanë folur shumë për ndeshjen e së martës mbrëma. Trajneri Jacob Neestrup pret fitore në të dy ndeshjet.

“Drita është ekip që do të duhej të ishim në gjendje për ta mposhtur në të dy ndeshjet, por si gjithnjë ne kemi respekt për kundërshtarin tonë”, ka thënë Neestrup.

“Drita është shembull i mirë i kampionit të një lige të ranguar ulët, por që mori pjesë shumë herë në kualifikime, duke përfshirë ato të Ligës së Kampionëve. Ka fituar shumë përvojë duke luajtur në këto runde kualifikuese “, ka shtuar trajneri danez.

Ai ka përmendur paraqitjet e ekipit kosovar ndaj skuadrave serioze evropiane si Antwerp, Viktoria Plzen,  Legia Varshavë e Feyenoord.

Kështu Copenhageni bëhet vetëm skuadra e radhës nga niveli serioz evropian me të cilën përballet Drita.

Në rundin e dytë kualifikues ka kaluar edhe Shkëndija e Tetovës. Shkëndijën e pret punë e vështirë përballë kampionit të Rumanisë, FCSB. Ndeshja e parë është të martën nga ora 20:00 në Shkup.