Futboll

Sukses historik i Dritës, kualifikohet në Ligën e Konferencës

Drita - Besnik Krasniqi

Drita ka arritur sukses historik të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut. Drita e mposhti 1:0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, për të bërë vend në fazën e ligës në “Conference League”.

Në Ligën e Konferencës, kampionia e Kosovës në futboll do t’i ketë edhe të paktën gjashtë ndeshje. Faza e ligës prej edicionit të kaluar e ka zëvendësuar fazën grupore në garat evropiane për klube të futbollit.

Ballkani ishte paraqitur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe Drita bëhet skuadra e dytë kosovare e kualifikuar. Dhe e para që do të garojë në fazën e ligës të garës së tretë evropiane për nga niveli.

Drita e kishte fituar 2:1 ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës, të enjten e kaluar në “Fadil Vokrri”. Dhe me tjetër fitore, 1:0, konfirmoi kualifikimin historik.

Sfida u vendos në minutën e 62-të kur Besnik Krasniqi shënoi nga pika e bardhë. Në zonë në mënyrë të palejuar u ndal Veton Tusha. Arbitri tregoi në pikën e bardhë pas rishikimit të situatës në VAR.

Gjërat u bënë më të lehta për Dritën që në nismë të ndeshjes. Për një ndërhyrje të rrezikshme në Raddy Ovoukan, sulmuesi i Differdange, Andreas Buch u ndëshkua direkt me të kuq që në minutën e tretë.

Drita në pjesën e parë goditi shtyllën me Ilir Mustafën, por shifrat nuk ndryshuan, 0:0.

Në pjesën e dytë skuadrat ishin më aktive. Drita shënoi golin dhe kishte raste të tjera po ashtu. Por momente të rrezikshme kishin edhe vendasit, ndërsa Faton Maloku bëri disa ndërhyrje vendimtare.

Drita është takuar me Differdangen për herë të katërt këtë edicion. Dhe skuadra e Zekirija Ramadanit edhe ka fituar për herë të katërt. Fillimisht Drita e kaloi ekipin luksemburgas në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, gjilanasit u ndalën nga Copenhageni. Më pas u eliminuan edhe në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Kampioni rumun, FCSB, fitoi dy ndeshjet me Dritën.

Kampionia kosovare u zhvendos në plejofin e Ligës së Konferencës, që është faza e fundit para asaj të ligës. Dhe sërish e mposhti Differdangen në dy ndeshje për suksesin masiv.

Shorti për fazën e ligës në Konferencë tërhiqet të premten prej orës 13:00. Në fazën e ligës paraqiten 36 skuadra.

Lexo përditësimet tjera
FC Drita

Sukses historik i Dritës, kualifikohet në Ligën e Konferencës