Drita ka arritur sukses historik të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut. Drita e mposhti 1:0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, për të bërë vend në fazën e ligës në “Conference League”. Në Ligën e Konferencës, kampionia e Kosovës në futboll do t’i ketë edhe të paktën gjashtë ndeshje. Faza e ligës prej edicionit të kaluar e ka zëvendësuar fazën grupore në garat evropiane për klube të futbollit.

Besnik Krasniqi: Shumë i lumtur, është suksesi më i madh në karrierën time

2 o. më parë / 28 gus 2025 22:12
Drita - Besnik Krasniqi

Futbollisti i Dritës, Besnik Krasniqi, është shprehur tejet i lumtur për kualifikimin për herë të parë në Ligën e Konferencës.

Ai realizoi golin e fitores ndaj Differdanget në ndeshjen e kthimit në plejof të enjten në Luksemburg. Drita i fitoi të dyja ndeshjet e plejofit – 2:1 në Prishtinë, dhe sonte 1:0 në Luksemburg.

“Jam shumë i lumtur për fitoren dhe që goli im ishte vendimtar. Ishim pak në presion, pasi e kemi ditur se është natë historike. Dhe ia arritëm. Jam shumë i lumtur për tifozët e Dritës. Po ashtu për presidentët që kanë bërë punë të jashtëzakonshme dhe e kanë merituar këtë”, ka thënë Krasniqi pas ndeshjes.

Lojtari e ka vlerësuar këtë si suksesin më të madh të karrierës së vet.

“Është suksesi më i madh në karrierën time. Por ky nuk është fundi. Kemi ende punë. Në grupe do të jemi më të qetë dhe do të bëjmë lojëra shumë më të mira. Si favoritë kishim një lloj presioni, por e menaxhuam mirë dhe në fund u shpërblyem. Falënderoj tifozët dhe familjen time”, ka shtuar ai.

Ramadani emocional pas suksesit historik: Është ëndërr e realizuar

2 o. më parë / 28 gus 2025 22:08
Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është parë i emocionuar pas kualifikimit historik në Ligën e Konferencës. Ai ka thënë se ky sukses ka qenë mëritë e plotë e lojtarëve.

“Një gëzim i jashtëzakonshëm, emocion i madh. Merita më e madhe është e dy presidentëve, që asnjëherë nuk janë dorëzuar. Për mua personalisht është një ëndërr e realizuar. Garoj me veten dhe mendoj se mund t’i jap edhe më tepër futbollit kosovar. Është meritë e plotë e lojtarëve”, ka thënë ai pas ndeshjes.

Drita fitoi të dyja ndeshjet e plejofit ndaj Differdanget. Në ndeshjen e kthimit në Luksemburg fitoi 1:0, një javë pas fitores 2:1 në Prishtinë. E para këtyre ndeshjeve, Drita pësoi pesë humbje rresht. E Ramadani ka thënë se rikthimi tregon karakterin e lojtarëve.

Trajneri ka thënë se cak tani e kanë kampionatin e Kosovës dhe mbrojtjen e titullit.

“Hera e parë që më ndodh t’i kemi pesë humbje rresht. Por ky është karakteri. Kemi besuar shumë në ekip. Kam besuar në karakterin e ekipit. Nuk është vetëm sukses i yni. Siç jemi gëzuar ne për suksesin e Ballkanit, besoj se edhe të tjerët do të gëzohen me suksesin tonë. Fokusi tani është te kampionati. Për Evropë me grupet jemi të kënaqur. Tani duam ta mbrojmë titullin e kampionit. Suksesin ia dedikoj babait të ndjerë”, ka thënë ai.

Sukses historik i Dritës, kualifikohet në Ligën e Konferencës

2 o. më parë / 28 gus 2025 21:58
Drita - Besnik Krasniqi

Drita ka arritur sukses historik të enjten mbrëma në Differdange të Luksemburgut. Drita e mposhti 1:0 kampionin e Luksemburgut, Differdange, për të bërë vend në fazën e ligës në “Conference League”.

Në Ligën e Konferencës, kampionia e Kosovës në futboll do t’i ketë edhe të paktën gjashtë ndeshje. Faza e ligës prej edicionit të kaluar e ka zëvendësuar fazën grupore në garat evropiane për klube të futbollit.

Ballkani ishte paraqitur dy herë në fazën grupore të Ligës së Konferencës dhe Drita bëhet skuadra e dytë kosovare e kualifikuar. Dhe e para që do të garojë në fazën e ligës të garës së tretë evropiane për nga niveli.

Drita e kishte fituar 2:1 ndeshjen e parë të plejofit të Ligës së Konferencës, të enjten e kaluar në “Fadil Vokrri”. Dhe me tjetër fitore, 1:0, konfirmoi kualifikimin historik.

Sfida u vendos në minutën e 62-të kur Besnik Krasniqi shënoi nga pika e bardhë. Në zonë në mënyrë të palejuar u ndal Veton Tusha. Arbitri tregoi në pikën e bardhë pas rishikimit të situatës në VAR.

Gjërat u bënë më të lehta për Dritën që në nismë të ndeshjes. Për një ndërhyrje të rrezikshme në Raddy Ovoukan, sulmuesi i Differdange, Andreas Buch u ndëshkua direkt me të kuq që në minutën e tretë.

Drita në pjesën e parë goditi shtyllën me Ilir Mustafën, por shifrat nuk ndryshuan, 0:0.

Në pjesën e dytë skuadrat ishin më aktive. Drita shënoi golin dhe kishte raste të tjera po ashtu. Por momente të rrezikshme kishin edhe vendasit, ndërsa Faton Maloku bëri disa ndërhyrje vendimtare.

Drita është takuar me Differdangen për herë të katërt këtë edicion. Dhe skuadra e Zekirija Ramadanit edhe ka fituar për herë të katërt. Fillimisht Drita e kaloi ekipin luksemburgas në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Në raundin e dytë kualifikues të Championsit, gjilanasit u ndalën nga Copenhageni. Më pas u eliminuan edhe në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Kampioni rumun, FCSB, fitoi dy ndeshjet me Dritën.

Kampionia kosovare u zhvendos në plejofin e Ligës së Konferencës, që është faza e fundit para asaj të ligës. Dhe sërish e mposhti Differdangen në dy ndeshje për suksesin masiv.

Shorti për fazën e ligës në Konferencë tërhiqet të premten prej orës 13:00. Në fazën e ligës paraqiten 36 skuadra.

Drita në epërsi, i afrohet kualifikimit historik

3 o. më parë / 28 gus 2025 21:21
Besnik Krasniqi

Besnik Krasniqi ka qenë i saktë nga pika e bardhë. Ai ka kaluar Dritën në epërsi 1:0 në ndeshjen ndaj Differdanget. Golin nga penalltia e shënoi në minutën e 61-të. Një minutën ë herët në zonë u pengua Veton Tusha.

Penallti për Dritën

3 o. më parë / 28 gus 2025 21:20
drita

Drita ka fituar penallti në ndeshjen ndaj Differdanget. Veton Tusha u pengua në zonë. Penalltia u konfirmuar me VAR.

Mbyllet pa gola pjesa parë e ndeshjes Differdange – Drita

4 o. më parë / 28 gus 2025 20:50
Veton Tusha

Ndonëse me një lojtar më shumë në fushë nga minuta e tretë, kampionia e Kosovës në futboll, nuk ka arritur t’i shënojë gol kampionit të Luksemburgut, Differdange. 

Pjesa e parë e ndeshjes që po luhet në Differdange përfundoi baras, 0:0. Është ndeshja kthyese e pljeofit të Ligës së Konferencës.

Andreas Buch për ndërhyrje të ashpër ndaj Raddy Ovoukas, u përjashtua me direkt karton të kuq.

Por epërsinë numerike në fushë, Drita, nuk arriti ta shfrytëzojë. Pati dy raste shënimi. Fillimisht rrezikoi portën e Differdanget, Ilir Mustafa dhe në minutat shtesë me kokë jashtë portës gjuajti Veton Tusha pas harkimit të Besnik Krasniqit. 

Drita e fitoi ndeshjen e parë në Prishtinë javën e kaluar me rezultat 2:1.

Rast i mirë për Dritën

4 o. më parë / 28 gus 2025 20:28
Rast i mirë për Dritën

Drita i është afruar golit ndaj Differdanget. 

Në minutën e 25-të, Drita iu afrua golit me një rast të mirë të Ilir Mustafës.

Differdange me një lojtar më pak në fushë ndaj Dritës

4 o. më parë / 28 gus 2025 20:05
Differdange me një lojtar më pak në fushë ndaj Dritës

Drita nga minuta e tretë e ndeshjes do ta ketë epërsinë numerike në fushë.

Andreas Buch i Differdanget u ndëshkua direk me karton të kuq për ndërhyrje të ashpër ndaj Raddy Ovouka.

Drita me tre sulmues ndaj Differdanget

6 o. më parë / 28 gus 2025 18:51
LIVE: Differdange-Drita

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, do të paraqitet me tre sulmues në ndeshjen kundër Differdanget. Arb Manaj do të përkrahet në sulm nga Almir Ajzeraj dhe Veton Tusha.

Ilir Mustafa do të jetë prapa tyre, ndërsa në mesfushë më të tërhequr do të jenë Albert Dabiqaj dhe Vesel Limaj.

Në mbrojtje do të paraqiten katër futbollistë. Në qendër të mbrojtjes do të paraqiten Egzon Bejtullai dhe Blerton Sheji, ndërsa në krahun e djathtë kapiteni Besnik Krasniqi. Në krahun e majtë do të paraqitet Raddy Ovouka, derisa në portë është Faton Maloku.

Ndeshja kthyese e plejofit të Ligës së Konferencës zhvillohet sonte nga ora 20:00. Luhet në Differdange të Luksemburgut.

Drita e fitoi ndeshjen e parë javë ne kaluar në Prishtinë me rezultat 2:1.