Drita ka bërë një hap të madh para drejt kualifikimit në skenën e madhe të Ligës së Konferencës. 
Drita të enjten mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë triumfoi 2:1 ndaj Differdanget të Luksemburgut në ndeshjen e parë të fazës së plejofit të Ligës së Konferencës. 

Albert Dabiqaj (30’) dhe Besnik Krasniqi (80’ penallti) realizuan për Dritën, ndërsa Andreas Buch (65’) realizoi për Differdangen. 

Differdange mbeti me një lojtar më pak në fushë, pasi në minutën e 92-të iu përjashtua me karton të kuq Boris Mfoumou pas ndërhyrjes në Besnik Krasniqin. 

Ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme në Luksemburg. 
Drita kishte mposhtur Differdangen edhe në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve këtë stinor. 

Nëse Drita avancon tutje kundërshtarët në Ligën e Konferencës i mëson në shortin e 29 gushtit. 

 

GOLAT


 

 

 

 

Tusha: Shkojmë në Luksemburg për fitore

1 muaj më parë / 21 gus 2025 22:10
Veton Tusha

Futbollisti i Dritës, Veton Tusha, ka thënë se skuadra e tij do të shkojë në Luksemburg për fitore përballë Differdanget edhe në ndeshjen e dytë të plejofit për Ligën e Konferencës.

Drita të enjten fitoi 2:1 në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”.

“Gjasat janë reale që të fitojmë atje. Do të shkojmë me 100 për qindëshin që edhe atje të fitojmë e jo të mbrohemi. Besoj se do ta kemi të lehtë sepse shkojmë me një fitore e ata do të hapen sepse do të sulmojnë. Shpresoj t’i ndëshkojmë dhe të fitojmë edhe atje”, ka thënë ai pas ndeshjes.

Ramadani: E kemi kryer vetëm gjysmën e punës

1 muaj më parë / 21 gus 2025 22:07
Zekirija Ramadani

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, ka thënë se me fitoren në ndeshjen e parë ndaj Differdanget në plejof të Ligës së Konferencës, e kanë kryer vetëm gjysmën e punës.

Drita fitoi 2:1 në “Fadil Vokrri” të enjten, ndërsa ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme në Luksemburg.

“Është vetëm pjesa e parë. E kemi mbaruar 50 për qind të punës e na pret edhe një tjetër. E thash që duhet të jemi të kënaqur me një gol avantazh. Ndodhi ajo që ishte si objektiv primar i joni për të shkuar me një gol avantazh”, ka thënë Ramadani për KTV-në pas takimit.

Ai është ankuar në ndeshjen e fundjavës me Ferizajn.

“Ekipi nuk ishte mirë. E kam thënë edhe më herët që nuk duhet lojë të bukur por rezultate. Ndikimi më i madh ishte ajo ndeshja me Ferizajn në bar sintetik me 40 gradë celsius dhe u pa që nuk kemi freskinë e duhur. Në fundjavë tani kemi pushim. Duhet të rigjenerohet ekipi dhe të shohim gabimet e të përsërisim lojën që e kemi pasur në rundin e parë”, ka thënë ai.

Sipas Ramadanit, nuk ka fjalë që mund t’i motivojë futbollistët më shumë sesa vetë vlera e garës.

Differdange me një lojtar më pak në fushë

1 muaj më parë / 21 gus 2025 21:51
Karton i kuq

Differdange ka mbetur me një lojtar më pak në fushë. Boris Mfoumou (90+2’) u ndëshkua me të kuq pas ndërhyrjes të ashpër ndaj Besnik Krasniqit. 

Arbitri e përjashtoi pas rishikimit të aksionit me VAR. 
 

Krasniqi realizon nga penalltia, Drita po udhëheq 2:1

1 muaj më parë / 21 gus 2025 21:38
Besnik Krasniqi

Besnik Krasniqi ka realizuar nga penalltia në minutën e 80-të, ndërsa Drita po udhëheq 2:1 ndaj Diffederdanget. 

Ndeshja po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” ndërsa i takon rrethit të plejofit të Ligës së Konferencës.

Barazon Differdange

1 muaj më parë / 21 gus 2025 21:23
Differdange

Differdange ka barazuar rezultatin ndaj Dritës. 

Andreas Buch (65’) realizoi me një gjuajtje me kokë. Rezultatin në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë është 1:1. 
 

Drita në epërsi pas pjesës së parë

1 muaj më parë / 21 gus 2025 20:48
Drita - Differdange

Drita po udhëheq 1:0 ndaj Differdanget pas pjesës së parë të ndeshjes që po luhet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Albert Dabiqaj në minutën e 30-të realizoi për Dritën pas asistimit të Veton Tushës. 

Kjo është ndeshja e parë e plejofit të Ligës së Konferencës. Ndeshja e kthimit luhet javën e ardhshme. 
 

Drita në epërsi

1 muaj më parë / 21 gus 2025 20:31
KF Drita

Drita ka kaluar në epërsi në minutën e 30-të. 

Albert Dabiqaj ka realizuar me gjuajtje nga zona, pas një topi të kthyer nga Veton Tusha. 


 

Pa gola pas 20 minutave

1 muaj më parë / 21 gus 2025 20:23
Drita - Differdange

Pas 20 minutave lojë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë në ndeshjen mes Dritës dhe Differdange, rezultati është baras 0:0. 

Është ndeshja e parë e plejofit të Ligës së Konferencës. 

Albert Dabiqaj (11’) pati rastin më të mirë. 
 

Publikohen përbërjet startuese të ndeshjes Drita - Differdange

1 muaj më parë / 21 gus 2025 18:56
Drita - Differdange

FOTO: Nikollë Quni

Janë publikuar përbërjet startuese të ndeshjes mes Dritës dhe Differdanget. 

Drita do të luajë me formacion 4-2-3-1. Në portë do të jetë Faton Maloku, ndërsa katërshja e mbrojtjes përbëhet nga Besnik Krasniqi, Egzon Bejtulai, Blerton Sheji dhe Raddy Ovouka. Në mesfushë janë Albert Dabiqaj dhe Vesel Limaj. E në repartin ofensiv janë Liridon Balaj, Almir Ajzeraj, Veton Tusha dhe Arb Manaj. 

Differdange do të luajë me përbërje 3-4-1-2.  

Drita e kishte mposhtur Differdangen në rundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve këtë stinor. \