Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Drita në Lituani për rezultat pozitiv

Drita

Kampionia e Kosovës në futboll, Drita, e nis të martën një tjetër rrugëtim në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.

Drita nga ora 18:00 do të përballet në udhëtim me Kaunas Zhalgirisin e Lituanisë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për Dritën është ndeshja e parë në kualifikimet e “Championsit” për edicionin 2026/2027.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, thotë se synimi i ekipit është ta nisë mbarë paraqitjen në Evropë. Ai thotë se kthimi me rezultat pozitiv nga Lituania, është real për Dritën.

“E shoh ekipin tim të përgatitur në aspektin psikologjik, fizik, taktik dhe besoj se do të nxjerrim një rezultat pozitiv dhe pastaj kemi ndeshjen e kthimit ku kemi mbështetjen e tifozëve dhe do të jemi shumë më të fortë. Do të kisha dashur të kthehemi me avantazh, që besoj se është reale dhe normale, por gjithsesi duhet të bëjmë maksimumin dhe ta shohim në fund rezultatin. Jemi në orar pune, kemi 90 minuta nesër, pastaj në fund mund të bëjmë edhe kalkulime për ndeshjen kthyese se a duhet të jemi më agresiv, apo më ofensivë, ose më defensivë. Gjithçka do të varet nga ndeshja e parë”, ka thënë Ramadani në konferencë për shtyp, të hënën.

Edicionin e kaluar, gjilanasit kishin rrugëtim të suksesshëm në Evropë. E kaluan me sukses raundin e parë të Championsit, kurse u eliminuan në të dytin. Drita vazhdoi në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe sërish u eliminua. U bart në Ligën e Konferencës, ku kaloi plejofin, fazën e ligës dhe u ndal në plejofin e fazës nokaut. Mbrojtësi Besnik Krasniqi, beson se mund të kthehen me rezultat pozitiv nga Lituania.

“Atmosfera është e mirë. Drita njihet gjithmonë për atmosferën e mirë brenda grupit. Jemi munduar ta ruajmë shumë këtë atmosferë. Jemi mjaft të përgatitur dhe të motivuar për ndeshje. Duhet ta japim secili maksimumin për të marrë rezultat pozitiv. Nuk është vetëm një ndeshje, kemi dy ndeshje dhe duhet të jemi të kujdesshëm”, është shprehur Krasniqi.

Portieri Faton Maloku është më i matur. Por edhe ai beson në rezultat të favorshëm për ndeshjen kthyese. Ndeshja kthyese luhet pas një jave në Prishtinë.

“Është ndeshje e vështirë. Në Champions nuk ka ndeshje që duhet t’i marrim lehtë. Kemi pasur një fazë të mirë përgatitore për këtë lojë dhe shpresoj të dalim me rezultat pozitiv”, ka thënë Maloku për KOHËN.

Për kundërshtarin e Dritës, Kaunas Zhalgirisin, është hera e parë që do të paraqitet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve.