Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, pajtohet se ekipi i tij është favorit ndaj Kauno Zhalgirisit të Lituanisë.
Por ai u ka bërë thirrje lojtarëve për kujdes në ndeshjen ndaj kampionit të Lituanisë.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Kaunas të Lituanisë javën e kaluar përfundoi baras, 1:1, ndërsa ndeshja kthyese luhet të martën nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ndeshja i takon raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Trajneri shkupjan thotë se i intereson vetëm fitorja ndaj Zhalgirisit.
Edhe
Drita në Lituani për rezultat pozitiv
“Nesër është ndeshje me gjasa 50-50. Na favorizon vetëm paraqitja si vendës dhe uroj ta kemi edhe klimën në favorin tonë, sepse atje ishte një klimë tjetër. Uroj ta fitojmë ndeshjen. Ekipi është i shëndetshëm, jemi munduar t’i përmirësojmë gabimet. Shpresoj në një ndeshje të mirë. Nuk do të na interesojë loja e bukur, por me shumë duele dhe shpirt luftarak. Na intereson të kualifikohemi tutje”, ka thënë Ramadani të hënën në konferencë për media.
Ai u ka bërë thirrje lojtarëve të luajnë ndeshje të guximshme ndaj Zhalgirisit.
“Duhet të jemi me shumë të guximshëm se në ndeshjen e parë. Duhet të sulmojmë portën e kundërshtarit dhe ta mbajmë atë sa më larg portës sonë. Mund të vendosin detajet, momentet apo goditjet standarde. Por ne jemi bërë gati për të gjitha opsionet”, ka theksuar Ramadani.
Ai ka shtuar se Drita është e përgatitur edhe për vazhdime.
“Ndoshta shkon edhe në vazhdime. Jemi gati edhe për vazhdimet, por nuk i kemi menduar penalltitë, sepse kam besim se do ta fitojmë ndeshjen. Më intereson ta fitojmë ndeshjen, qoftë edhe në vazhdime”, thotë Ramadani.
Ramadani ka thënë se synim i Dritës është ta sigurojë paraqitjen në plejofin e Ligës së Evropës. Por gjilanasit do të kënaqeshin edhe me përsëritjen e suksesit të edicionit të kaluar në Ligën e Konferencës.
Portieri i Dritës, Faton Maloku, fton bashkëlojtarët për kujdes.
Edhe
Ramadani për Zhalgirisin: Një ekip që nuk e njohim
“Kemi arritur rezultat pozitiv nga ndeshja e parë. Por nuk jemi të kënaqur plotësisht. Kundërshtari është kampion dhe mund të ndëshkojë. Duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i qasemi me seriozitet ndeshjes. Jemi favoritë sepse jemi vendas dhe me përkrahjen e shikuesve synojmë të vazhdojmë tutje”, ka thënë portieri shtatlartë.
Edicionin e kaluar, gjilanasit kishin rrugëtim të suksesshëm në Evropë. Arritën deri në plejofin e fazës nokaut të Ligës së Konferencës.