Futboll

Copenhageni fiton sërish 2:0, Dritën e pret punë e vështirë të martën

Copenhagen

Ndonëse nuk e kishte paraqitjen më të mirë, Copenhageni fitoi 2:0 të shtunën mbrëma ndaj Vejles. Ndeshja i takoi xhiros së dytë të kampionatit të Danimarkës.

Me rezultat 2:0, Copenhageni kishte fituar edhe ndaj Dritës së Gjilanit, të martën e kaluar në stadiumin “Parken” në Kopenhagë në praninë e gati 18 mijë shikuesve.

Ndeshja e kthimit e raundit të dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve mes Dritës dhe Copenhagenit zhvillohet të martën prej orë 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndeshja transmetohe direkt në KTV, ndërsa kampionen e Kosovës e pret punë shhumë e vështirë. Pos që ka disavantazh prej dy golash, Drita ka përballë top-ekipin danez, që nuk di për humbje në ndeshje garuese për kohë të gjatë.

Copenhageni i ka 11 fitore e një barazim në 12 ndeshjet e fundit, pa llogaritur ato miqësore.

Së fundi kishte pësuar nga Midtjyllandi në kuadër të kampionatit danez, më 17 prill. Gjatë verës, kundërshtarja e Dritës i luajti katër miqësore. Në dy barazoi, një e humbi dhe një e fitoi.

Se bëhet fjalë për klub të nivelit shumë serioz evropian, Copenhageni e dëshmoi gjatë javës, përkatësisht pas ndeshjes së parë me Dritën. E shiti për plot 22 milionë euro, 19-vjeçarin Victor Froholdt te Porto. Është lojtari më i shtrenjtë i shitur nga kampioni danez.

Froholdt nuk luajti ndaj Dritës, për shkak të negociatave për transferim te gjiganti portugez.

Për dallim nga Copenhageni, Drita gjithë fokusin e ka në kualifikimet e Championsit. Superliga e Kosovës në futboll nuk fillon edhe disa javë, kështu që Drita, Prishtina e Ballkani mund të fokusohen plotësisht në ndeshjet evropiane.

Paraqitja e Dritës në Kopenhagë u vlerësua, përkundër humbjes 2:0. Të dy golat u shënuan nga penalltia në pjesën e dytë. I realizoi rezervisti Magnus Matsson. Ndaj Vejles të shtunën Lukas Lerager dhe Jordan Larsson.

“Ishte rezultat perfekt dhe mendoj se e kemi merituar të fitojmë. Por ishte larg nga një paraqitje perfekte”, ka thënë trajneri i Copenhagenit, Jacob Neestrup. Ai ka thënë se skuadra nuk reagoi mirë në topat e gjatë të kundërshtarit, mbrojtja nuk ishte e vendosur mirë dhe se kanë lejuar shumë goditje nga këndi dhe ndërprerje të tjera.

“I kemi dhënë kundërshtarit mundësi të shënoi, por jo shumë shanse të mira. Në fund kemi fituar relativisht komod. Këto janë ndeshje tipike në mes të kualifikimeve evropiane. Duhet të bëjmë rotacion për shkak të orarit të ngjeshur. Mund të ndikojë në ritëm pak, por ne po fitojmë ndeshjen dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Nuk e kemi bërë këtë gjithnjë në kampionatin e kaluar në ndeshje të këtij lloji”, ka thënë trajneri danez.

Për kualifikim Dritës i duhet fitorja, përkatësisht ndërprerja e serisë prej 12 ndeshjeve të Copenhagenit.