Derisa Paris Saint-Germaini po kalonte epokën e Kylian Mbappes, trajneri Luis Enrique nuk humbi kohë për të riformësuar identitetin e një klubi të ndërtuar prej kohësh rreth yjeve individualë. Dhe metoda e teknikut spanjoll dha rezultate shpejt.
Parisi ishte përballur me disa “fatkeqësi” të turpshme në Ligën e Kampionëve. Tani po përgatitet për finalen ndaj Interit, që luhet të shtunën prej orës 21:00 në Munih.
Mbappe, që ishte larguar nga Parisi në fund të edicionit 2023/2024 dhe u bashkua me Real Madridin, ishte fytyrë e padiskutueshme e kampionit francez që nga largimi i Neymarit dhe përfundimi i periudhës së shkurtër të Lionel Messit.
Por nën drejtimin e Luis Enriques, gjiganti francez ka pësuar një lëvizje vendimtare nga një model i bazuar në superyje te një filozofi futbolli më të disiplinuar dhe të bazuar në kolektiv. Enrique, i njohur për personalitetin e ashpër dhe pa kompromis, i bëri të qarta qëllimet që në fillim të mandatit.
“Loja jonë nuk mundëson që Mbappe të lejohet të bëjë çfarë të dojë”, kishte thënë Enrique vitin e kaluar. Kjo deklaratë erdhi kur Mbappe bëri të qartë se do të largohej nga Parisi.
“Kjo ishte filozofia e vjetër e klubit që nuk solli asnjë trofe të madh”.
Mesazhi ishte i duhur dhe atmosfera rreth klubit ndryshoi.
“Ka pasur një ndryshim në mentalitet këtë edicion”, ka thënë javën e kaluar Ousmane Dembele, që është shndërruar nga sulmues i krahut në “nëntëshe” të frikshme.
“Trajneri i kontrolloi të gjitha”, ka vazhduar Dembele.
Enrique ka insistuar në seanca intensive stërvitore, kërkesa të rrepta taktike dhe në përgjegjësi kolektive. Asnjëri lojtar nuk kursehet nga detyrat defanzive.
Qasja e tij konfrontuese dhe e qartë bie ndesh me mjedisin e viteve të kaluara ku lojtarët ishin kryesorët. Mbajtja e emrave të mëdhenj, sipas ekspertëve, ishte prioritet mbi lojën që shfaqte skuadra parisiene. Dhe ndryshimi i bërë nga Enrique solli rezultat të menjëhershëm.
PSG-ja siguroi tjetër titull në Francë e po ashtu e fitoi Kupën e këtij vendi. Pos kësaj arriti në finale të Championsit duke luajtur me një strukturë dhe qartësi që nuk është parë në vitet e kaluara.
Kur Mbappe e bëri të qartë edicionin e kaluar se do të largohej, klubi kundërshtoi këtë. Por Enrique ishte i buzëqeshur.
“A mendoj se do të bëj punë më të mirë edicionin e ardhshëm? Padyshim. Të kesh në fushë një lojtar që mund të bëjë çfarë të dojë do të thotë se ka situata që nuk mund t’i kontrolloj”, kishte thënë trajneri spanjoll.
“Edicionin e ardhshëm do t’i kontrollojë të gjitha. Pa përjashtim”.
Shpesh i atakuar për qëndrimin që supozohet se është arrogant, sidomos në edicionin e kaluar kur Parisit i mungoi koordinimi, Luis Enrique gjithnjë është përgjigjur me “nuk mund ta kuptosh”.
Ai e ka vërtetuar se kritikët e tij ishin gabim, pavarësisht rezultatit në finalen e së shtunës në Munih.