Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut (FFM) u ka uruar fat lojtarëve të Shkëndijës për ndeshjen kundër Qarabagut të Azerbajxhanit. Në të njëjtën kohë, FFM-ja, u ka bërë thirrje tifozëve të mbështesin klubin e tyre dhe të shmangin fyerjet në arenën kombëtare në Shkup. Thirrja vjen pasi në një ndeshje basketbollistike në Kumanovë të shtunën pati thirrje anti-shqiptare.
Shkëndija e Tetovës sonte nga ora 20:00 në Shkup do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit në kuadër të ndeshjes së parë të raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
“U bëjmë thirrje të gjithë të pranishmëve të mos i nënshtrohen provokimeve dhe të shmangin fyerjet në çfarëdo baze. Vetëm me lojë të ndershme, sjellje dinjitoze dhe bashkësi, hap pas hapi, mund të dëshmojmë se futbolli maqedonas mund të përparojë, brenda dhe jashtë fushës. Futbolli bashkon. Nuk duhet të lejojmë që provokimet dhe fyerjet të vijnë përpara futbollit, vlerave sportive dhe njerëzore. Le të tregojmë se dimë të brohorasim me pasion, por edhe me respekt”, shkruan në njoftimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut.