Federata e Futbollit e Anglisë do të rishikojë sigurinë e mureve dhe barrierave rreth fushave në sistemin e “Ligës Nacionale”, pasi ish-lojtari i Akademisë së Arsenalit, Billy Vigar, vdiq pas një dëmtimi të rëndë në tru. Ai mori lëndime fatale, ndërsa luante për ekipin e nivelit të shtatë anglez, Chichester City.
Sipas raportimit të mediave lokale, 21-vjeçari goditi kokën në një barrierë betoni pranë fushës. Ai u lëndua të shtunën e kaluar në një ndeshje të ligës regjionale të Isthmainit. Futbollisti vdiq në spital të enjten.
“Tani do të bëjmë një kontrollim të menjëhershëm. Do të punojmë me ligat, klubet dhe palët e interesuara përkatëse në të gjithë sportin. Kontrollimi do të përqendrohet në sigurinë e mureve perimetrike dhe barrierave rreth fushave në sistemin e Ligës Nacionale”, shkruan në një deklaratë të Federatës së Futbollit të Anglisë, të lëshuar të premten.
“Kjo do të përfshijë shqyrtimin e mënyrës se si mund t’i ndihmojmë klubet e sistemit të Ligës Nacionale të identifikojnë dhe zbatojnë masa shtesë në stadiumet e tyre. Klubet do të përcaktojnë se si do të ndihmojmë në uljen e çdo rreziku për shëndetin e lojtarëve”.
Futbollistit të ndjerë do t’i bëhen homazhe në ndeshjet e Kupës FA dhe ato të ligës nacionale në fundjavë, shkruan tutje në deklaratën e Federatës angleze.
Sistemi i Ligës Nacionale është nën Ligën e Futbollit. Bëhet fjalë për nivelin e shtatë dhe të tetë në piramidën e futbollit të Anglisë.
Një peticion që bën thirrje për ndalimin e mureve me tulla rreth fushave të futbollit, ka marrë më shumë se 4.000 nënshkrime tashmë, shkruan BBC.
Më herët, të premten, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë bëri thirrje për një hetim të plotë dhe tha se lojtarët “nuk duhet të vihen në rrezik të panevojshëm dhe të shmangshëm”.
Drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate, Maheta Molango, tha se të gjithë lojtarët duhet të jenë të sigurt kur dalin për të luajtur apo për të stërvitur.
Vigar ishte zhvilluar në Akademinë e Arsenalit, ndërsa ishte larguar nga klubi në vitin 2024. Kishte periudha te Derby County, Eastbourne Borough dhe Hasting United.
“Është një lajm tronditës. Menjëherë të shkon mendja te familja dhe sa e vështirë është të kalosh diçka të tillë, që vjen shumë papritur. Shpresojmë që të kuptohet se si ndodhi dhe pse ndodhi. Pa dyshim duhet të përpiqen të shmangin këto raste. Është lajm vërtet i trishtueshëm dhe mendimet tona janë me familjen dhe të dashurit e futbollistit të ndjerë”, ka thënë trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta.