Skuadra e Pafosit të Qipros ka marrë tjetër pikë të madhe në Ligën e Kampionëve.
Pafosi të mërkurën mbrëma barazoi 2:2 me skuadrën e njohur franceze, Monaco, në ndeshjen e xhiros së pestë të Championsit.
Qipriotët barazimin e fituan vetëm pas autogolit të mbrojtësit Mohammed Salisu, dy minuta para fundit.
Takumi Minamino shënoi për francezët në minutën e pestë fillimisht.
Më pas, David Luiz i barazoi shifrat në minutën e 18-të.
Për mbrojtësin brazilian ishte goli i parë në Champions pas tetë vjetësh.
Për herë të fundit në Ligën e Kampionëve, 38-vjeçari kishte realizuar në tetor të vitit 2017 kur luante te Chelsea, në barazimin 3:3 me Romën në “Stamford Bridge”.
Folarin Balogun shënoi sërish për Monacon në minutën e 26-të për 2:1.
Megjithatë, autogoli i Salisut e vendosi sfidën në minutën e 88-të.
Monaco e Pafosi kanë nga gjashtë pikë.