Ndeshja që është shpresuar të jetë një fillim i mbarë për Kosovën, është kthyer në dëshpërim të thellë.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll i ka nisur me humbje shumë të thellë, e deri diku turpëruese, kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Të premten mbrëma në Basel, Kosova pësoi 4:0 nga Zvicra.
Madje ndeshja me “helvetikët” përfundoi që në pjesën e parë. 4:0 ishte rezultati pas 45 minutave lojë.
Ka pasur entuziazëm te Kosova dhe tifozët e saj për fillim pozitiv të fushatës së tretë kualifikuese për Kupën e Botës. Por në fushë nuk ka pasur shenja të këtij entuziazmi. E udhëhequr mjeshtërisht në fushë nga kapiteni Granit Xhaka, Zvicra mori shpejt kontrollin dhe rreshtoi rastet.
Ndërkohë në lojën e Kosovës kishte shumë lëshime, në të gjitha repartet. Më të dukshme ishin gabimet e mbrojtjes, sidomos te pësimi i golave.
Goli për 1:0 u shënua pas një goditje nga këndi. Mbrojtësi Manuel Akanji shënoi në minutën e 22-të, pasi mbeti i pambuluar në zonë.
Sulmuesi Breel Embolo shënoi për 2:0 menjëherë në minutën e 25-të.
Vuajtjet e Kosovës megjithatë nuk kishin të ndalur. Silvan Widmer shënoi për 3:0 në minutën e 39-të, ndërsa Embolo shënoi tjetër gol për 4:0, në minutën e 45-të.
Dhe ndeshja përfundoi.
Seleksionuesi i Kosovës, Franco Foda, bëri tri ndryshime për pjesën e dytë. Por në fushë ndryshoi pak, ndonëse Kosova ishte pak më aktive. Kjo ndodhi kryesisht për shkak se lojtarët e Zvicrës u ndalën dhe kursyen energjinë.
Raste të mira nuk kishte në asnjërën anë, ndërsa tifozët nisën të largohen nga stadiumi shumë minuta pa përfunduar ndeshja. Për shkak se ndeshja u mbyll herët, tifozët kanë qëndruar kryesisht të qetë në “St. Jakob-Park”. Gjysma e stadiumit ishte e mbushur me përkrahës të Kosovës.
Zvicra, ndonëse ka ndërruar gjeneratën, dëshmoi që i takon nivelit serioz evropian dhe që luan në nivel të lartë kur i duhet. Me Xhakën në mesfushë, Zvicra gjithnjë ka çka të ofrojë. Dhe pas tri barazimeve me Kosovën e ka fituar me katër gola dallim përballjen e katërt.
Te Kosova debutoi Leon Avdullahu, por që nuk la shenjë në mesfushë. Për Avdullahun, njëjtë si për gjithë pjesën tjetër të skuadrës, e po ashtu për shtabin teknik, ishte një ndeshje për të harruar.
Dhe ëndrra për kualifikim në Botëror është shumë e largët, menjëherë pas ndeshjes së parë.
Të përzgjedhurit e Fodas do të mundohen të reagojnë të hënën, kur përballen me Suedinë në “Fadil Vokrri”. Për të shpresuar në sukses, Kosovës i duhet paraqitje shumë, shumë më e mirë se ajo e së premtes mbrëma në Basel.
