Napoli e përfundoi javën e vështirë me fitore 2:1, por pagoi çmim të lartë. Pas lëndimit serioz të kapitenit Giovanni di Lorenzo, trajneri Antonio Conte edhe një herë shfryu në kritika. Dhe nuk kurseu fjalët për futbollin modern
(Kicker) – Më herët gjatë javës, pas eliminimit në Ligën e Kampionëve, Antonio Conte i kritikoi përgjegjësit e Serie A lidhur me orarin e ndeshjeve. Në fundjavë trajneri i Napolit drejtoi gishtin kah “futbolli modern” si tërësi.
Kampioni në fuqi i Italisë është goditur fuqishëm nga lëndimet në muajt e fundit. Lojtarë si Kevin De Bruyne dhe Andre-Frank Zambo Anguissa mbetën jashtë për kohë të gjatë. Të tjerë, si Romelu Lukaku, janë kthyer vetëm së fundi. Që gjërat të bëhen edhe më keq, në fitoren 2:1 ndaj Fiorentinas, të shtunën, kapiteni Giovanni di Lorenzo pësoi lëndim serioz të gjurit. Dhe ka brenga serioze për gjendjen e tij. Mund të jetë më shumë se vetëm lëndim i ligamentit. Një pushim i gjatë i lojtarit vendimtar, që është pritur ta ndihmojë Italinë ta sigurojë Botërorin në plejofin e marsit, është shumë i mundshëm.
“Njerëzit vazhdojnë të thonë që unë vetëm ankohem, por duke pasur parasysh vargun pafund të lëndimeve, ne po bëjmë gjithçka tjetër pos kësaj. Dhe këto janë lëndime serioze, jo vetëm zgjatje muskujsh që lënë lojtarët jashtë për dy deri në katër javë. Janë lëndime serioze”, ka thënë Conte.
Sipas tij, situata kërkon riorganizim të vazhdueshëm.
“Ne mezi arrijmë të mbushim boshllëqet sepse këta djem po luajnë jashtëzakonisht mirë. Ne sërish nuk kishim alternativa të shumta në stol”.
Ai shpesh mbeti pa fjalë, i hutuar nga situata. Por megjithatë tha shumëçka të shtunën mbrëma.
“Ndeshjet janë të shpeshta dhe ne duhet të luajmë me lojtarët që në të vërtetë duhet të pushojnë. Por nuk mund ta bëjmë këtë. Dhe kjo sjell këto lëndime”.
Conte ka vazhduar me tërbimin e tij.
“Ekzistojnë gjithashtu kufizime të vazhdueshme në madhësinë e skuadrës. Dhe skuadra jonë është edhe më e vogël pasi nuk kemi shumë lojtarë nga akademia. Ata që i kemi preferojnë të huazohen për të marrë më shumë minuta në fushë. Dhe pastaj ka kufizime moshe. Por nëse duhet të luajmë 60 ndeshje në vit, na duhet skuadër më e madhe, përndryshe është vetëvrasje”.
Tekniku i njohur italian foli për një rreth vicioz.
Është pikërisht kjo situatë. Të kesh një orar kaq të ngjeshur si skuadër, me Serie A që ka 38 xhiro, pastaj me Ligën e Kampionëve, Kupën e Italisë, Superkupën e Italisë, ndeshjet ndërkombëtare dhe ndonjë tjetër, e bën shumë të shqetësuar 56-vjeçarin nga jugu i Italisë, i njohur për karakterin e zjarrtë.
“Si duket as klubet nuk e kuptojnë këtë. Është si një qen që ndjek bishtin e tij”, thotë trajneri që e udhëhoqi Napolin drejt titullit të kampionit në edicionin e kaluar.
“Ju luftoni vazhdimisht për t’u kualifikuar në këto gara ndërkombëtare, për të fituar para. Por këto para janë vetëm të përkohshme, sepse sa më shumë gara që luani, aq më shumë lojtarë duhet të blini. Dhe aq më shumë rriten shpenzimet e pagave”, ka shpjeguar tutje Conte.
Ai e sheh këtë si zhvillim fatal.
“Nëse refuzojnë ta kuptojnë këtë, futbolli do të zhvillohet në drejtimin e gabuar dhe do të sjellë incidente si ky. Nuk po flas vetëm për Napolin por për futbollin në përgjithësi. Është e turpshme që të gjithë ua kthejnë shpinën lojtarëve dhe në vend të kësaj favorizojnë klubet, ligat, UEFA-n dhe të tjerët. Këtë e them si ish-futbollist”.
Conte e ka vlerësuar “qesharak” faktin që klubet tjera bënë vazhdimisht transferime këtë dimër, ndërsa Napoli është në “embargo transferimesh”. Ka thënë se Napoli është klubi i vetëm në Itali që ka fitim prej 240 milionë eurosh dhe e ka të ndaluar të bëjë transferime.
Napoli nuk e ka të ndaluar të bëjë transferime, por duhet të plotësojë kushte të caktuara për të realizuar ato. Të ardhurat nga shitjet e lojtarëve duhet të mbulojnë të paktën shpenzimet.
