Futboll

Conte flet për lëndimin e Rrahmanit

Amir Rrahmani

Trajneri i Napolit, Antonio Conte, e ka komentuar lëndimin që e pësoi kapiteni i Kosovës, Amir Rrahmani, në ndeshjen ndaj Romës. 

Napoli të dielën mbrëma barazoi 2:2 me Romën në ndeshjen e vlefshme për xhiron e 25-të të Serie A. 
Rrahmani ishte i detyruar të zëvendësohej në minutën e 71-të për shkak të një lëndimi muskulor. 

Në minutën e 69-të, mbrojtësi i qendrës bëri një ndërhyrje të palejuar brenda zonës duke shkaktuar penallt. Dhe nga ai duel mbeti i lënduar. 

“Nuk e di në çfarë gjendjeje është Rrahmani. Do të gjejmë një zgjidhje, sepse nëse merremi gjithmonë me dëmtimet, bëhet e tepërt. Ne po fokusohemi te lojtarët që kemi në dispozicion dhe tek ata që do t’i kemi. Nuk e di nëse do të jetë gati për ndeshjen ndaj Atalantas. Nëse do të jetë i gatshëm do të jemi të lumtur, nëse jo, do të gjejmë zgjidhje të tjera”, u shpreh italiani Conte pas ndeshjes për “DAZN”. 

Për 31-vjeçarin Rrahmani ishte lëndimi i tretë që e pëson këtë edicion. Ai është duke pasur shumë telashe me lëndime. 

Për shkak të lëndimeve të shpeshta, Rrahmani, ka munguar në 15 ndeshje duke përfshirë edhe ato me Kosovën. 

Rrahmani është lider i mbrojtjes te kampioni në fuqi i Italisë, Napoli.