Trajneri i Napolit, Antonio Conte, e ka komentuar lëndimin që e pësoi Amir Rrahmani me Përfaqësuesen e Kosovës.
Qendërmbrojtësi Rrahmani pësoi lëndim të lehtë të muskulit të këmbës gjatë ndeshjes Zvicër – Kosovë e luajtur javën e kaluar në Basel.
Conte në konferencën e mbajtur për shtyp deklaroi se Kapiteni i Kosovës është mungesë e madhe për Napolin. Ai e ka vlerësuar Rrahmanin si lojtar kyç të skuadrës.
“Ai është një mungesë e madhe, luajti 38 nga 38 ndeshjet e edicionit të kaluar. Ai është lojtar kyç në këtë ekip, por siç e kam thënë edhe më parë, duke luajtur çdo tri ditë, plus ndeshjet ndërkombëtare, rreziku i lëndimit do të jetë shumë më i lartë”, u shpreh Conte.
31-vjeçari Rrahmani nuk do të paraqitet në fundjavë për Napolin kundër Fiorentinës dhe më 18 shtator kundër Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Ai pritet të jetë gati për ndeshjen Napoli – Pisa që luhet më 22 shtator.