Futboll

Rrahmani pritet të jetë i gatshëm ndaj Fiorentinës

Amir Rrahmani

Mbrojtësi Amir Rrahmani pritet të jetë në dispozicion të trajnerit të Napolit, Antonio Conte, për ndeshjen e ardhshme në Serie A ndaj Fiorentinës. 

Kështu ka shkruar të martën sajti “areanapoli.it”. 

Napoli të shtunën nga ora 18:00 e pret Fiorentinën në kuadër të xhiros së 23-të të elitës italiane të futbollit. 

Kapiteni i Kosovës nuk do të jetë në gjendje të luajë të mërkurën ndaj Chelseat në Ligën e Kampionëve. 

Mbrojtësi i qendrës pësoi një lëndim muskulor më 17 janar në fitoren 1:0 të Napolit ndaj Sassuolos. 

31-vjeçari për shkak të lëndimit i mungoi napolitanëve në dy ndeshjet e fundit, ndaj Copenhagenit në “Champions” dhe në kampionat ndaj Juventusit. 

Rrahmani edhe në pjesën e parë të këtij edicioni i mungoi Napolit për disa ndeshje. 

Kthimi i Rrahmanit në fushë është lajm shumë i mirë për Napolin, që së fundi është duke u përballur me shumë lëndime.