Antonio Conte ka thënë se Napoli është “i përgatitur për më të keqen” në krizën që po kalon me lëndime. Por Conte beson se skuadra e tij ende “meriton respekt” si kampion në fuqi i Serie A.
Ai po ashtu në konferencë e së martës para ndeshjes vendimtare të Ligës së Kampionëve kundër Chelseat, ka thënë se është optimist për rezultat pozitiv.
“Duhet të jemi optimistë, por edhe të përgatitur për më të keqen. Kjo është puna jonë, edhe kur gjërat nuk po shkojnë në rrugën e duhur. Kam një grup lojtarësh që janë gati të ecin përpara”, ka thënë Conte.
Napolit po i mungon lideri i mbrojtjes, Amir Rrahmani. Kapiteni i Kosovës është i lënduar dhe i ka munguar Napolit në ndeshjet e fundit në Serie A.
Napoli është në vendin e 25 në tabelën e Championsit. Është një pozitë larg vendit që siguron plejofin. Napolitanëve u duhet të marrin të paktën një barazim nëse duan të kenë shpresë për kalim tutje.