Brajan Gruda me shpejtësi është duke u ngjitur në listë për t’u bërë numri 10 i Brightonit.
Gruda ka më pak konkurrencë në pozitën e mesfushorit ofensiv qëkur i realizoi dy gola në po aq ndeshje nga ai rol në fushë, ka shkruar të premten “The Athletic”, në një shkrim të gjatë kushtuar talentit 21-vjeçar.
Gruda hyri nga banka rezervë për t’ia siguruar fitoren 2:1 skuadrës së tij ndaj Manchester Cityt në “Amex Stadium” në ndeshjen e fundit para angazhimit të lojtarëve në përfaqësuese. Tri ditë para atij dueli, ai ishte titullar dhe shënoi në fitoren 6:0 në udhëtim tek Oxford United, në raundin e dytë të “Carabao Cup”.
Pasi është mbyllur afati kalimtar veror, në ditën kur Gruda realizoi ndaj Cityt, e ardhmja e tij në klub duket e ndritur. Julio Enciso u transferua te Strasbourgu, ndërsa Matt O’Riley dhe Facundo Bounanotte janë huazuar deri në fund te edicionet te Marseille dhe Chelsea. Të gjithë këta mund të luajnë në pozitën e numrit 10, njësoj si Joao Pedro, i cili iu bashkua Chelseat në korrik.
Tani Gruda në konkurrencë ka Georginio Rutterin, Diego Gomezin dhe ndoshta edhe Charalampos Kostoulasin. Gruda mund të luajë edhe në krah, aty ku ka luajtur për kohë të gjatë te të rinjtë e Gjermanisë dhe në shumicën e 29 paraqitjeve me Brightonin deri tani, qëkur u transferua për afro 32 milionë euro nga Mainzi në verën e vitit të kaluar.
Minutat e fundit të Grudës në atë pozitë ishin te Gjermania U21, në pjesën e parë ndaj Shqipërisë, në fitoren 2:0 të premten e kaluar. Ai asistoi në fitoren 5:0 ndaj Letonisë në kualifikimet e Evropianit U21 të martën, kur luajti në tërë ndeshjen.
“Për mua nuk ka rëndësi nëse luaj në krahun e djathtë apo në pozitën e 10-shit”, u tha Gruda gazetarëve pas ndikimit që e pati ndaj Cityt.
“Unë vetëm dua të luaj. Nuk ka rëndësi se ku luaj, por në këtë pozitë kam shënuar dy gola. Ndoshta është më mirë se në krahun e djathtë, nuk e di. Gjithmonë ka qenë ëndërr të luaj në Angli. Është liga më e mirë në botë, shans fantastik. Ishte vështirë për mua, në një shtet të ri, me klub të ri. Natyrisht, duhet të ambientohesh. Është sezoni i ri dhe jam 100 për qind i gatshëm. Tani duhet ta shfaq në fushë”.
Trajneri Fabian Hurzeler ka thënë pas fitores ndaj Cityt se Gruda mund të jetë “vendimtar në ndeshje për çdo klub në botë”. Ai kontribut në fitoren ndaj Cityt i ka dhënë Grudës “injeksion” në besim.
“Kjo më jep shumë vetëbesim. Mendoj se ka ardhur në kohën më të mirë. Natyrisht të duhet edhe fati. Nëse punon fort, besoj se çdo gjë mund të funksionojë. Duhet të punosh në çdo stërvitje dhe të jesh i fokusuar çdo ditë”, ka deklaruar Gruda.
Gruda mund të mësojë shumë edhe nga përvoja e James Milnerit.
Milneri, i cili barazoi rezultatin nga penalltia ndaj Cityt, e kishte shënuar golin e parë në Premier League për Leeds Unitedin, 17 muaj para lindjes së Grudës.
“Çdoherë në stërvitje ai më përkrah 100 për qind”, thotë Gruda. “Çdo ditë, çdo minutë. Nëse bëj diçka gabim, e di. E kam James Milnerin prapa dhe më tregon gjithmonë. Ai është shumë i rëndësishëm për mua dhe më ndihmon. Jam shumë i lumtur që e kam në skuadër”.
Gruda është pjesë e një skuadre me shumë talente, por secili duhet ta shfaqë intensitetin që e kërkon trajneri Hurzeler.
“Ai na ka thënë të bëjmë vrapime dhe ta ndjekim topin. Nuk ka rëndësi kundër kujt luajmë. E ndjekim secilin, bëjmë presion të lartë së bashku. Kjo është më e rëndësishmja”, është shprehur futbollisti shqiptar.