Mesfushorja e Spanjës, Aitana Bonmati, është liruar nga spitali pasi u trajtua për meningjitin viral, vetëm pak ditë para nisjes së Evropianit 2025 për futbolliste.
27-vjeçarja e cila e ka fituar “Topin e Artë” në dy vjetët e fundit, mungoi në fitoren 3:1 të Spanjës ndaj Japonisë të premten në Leganes të Spanjës.
Ajo nuk stërviti të enjten dhe ishte dërguar një ditë më pas në spital, në Madrid.
Federata e Futbollit e Spanjës ka njoftuar të dielën se futbollistja e Barcelonës do t’i bashkohet ekipit përfaqësues në ditët e ardhshme.
“Euro 2025” në Zvicër nis të mërkurën, kurse Spanja luan kundër Portugalisë të enjten në Bernë, në ndeshjen hapëse të Grupit B.
Bonmati i ka realizuar 30 gola në 78 ndeshje për Spanjën dhe ishte prej futbollisteve kryesore në triumfin e Botërorit 2023 dhe në Ligën e Kombeve vitin e kaluar.
Meningjiti është infeksion i membranave mbrojtëse që e mbështjellin trurin dhe boshtin kurrizor, dhe mund të jetë serioz nëse nuk trajtohet me kohë.