Futboll

Nga shtrati i spitalit në yll të Evropianit

Aitana Bonmati

Aitana Bonmati

“Mund të shkruaj një libër për këtë”, tha Aitana Bonmati pasi Spanja mposhti Gjermaninë në kohën shtesë për të siguruar vend në finale të Kampionatit Evropian të futbollisteve në Zvicër.

Mesfushorja u pyet se si ndihet pasi shënoi golin e fitores në gjysmëfinalen e së mërkurës mbrëma, ndërkohë që pritej të mungonte në Evropian për shkak të një sëmurjeje.

Bonmati u lirua nga spitali pak ditë para se të fillonte Kampionati Evropian, pasi vuante nga një sulm i meningjitit viral.

Fituesja e dyfishtë e Topit të Artë u shërua shpejtë, por është dashur të pres shansin e saj në Evropianin në Zvicër. Në dy ndeshjet e para ishte zëvendësuese.

27-vjeçarja duket se është kthyer në formën më të mirë. Të mërkurën në gjysmëfinale me Gjermaninë, që përfundoi 1:0 për Spanjën, Bonmati shënoi gol mjeshtëror nga një pozitë shumë e vështirë.

“Nëse Spanja e fiton ndeshjen, atëherë do të jetë një lojtare si Bonmati që do ta marrë përgjegjësinë për ta udhëhequr ekipin”, tha ish-mesfushorja e Anglisë, Fara Ëilliams për BBC One.

Spanja ka dominuar në fushë, por ka pasur vështirësi të thyejë mbrojtjen gjermane. Ndeshja shkoi në vazhdime dhe dukej që do të vendosej me penallti. Por Bonmati shfrytëzoi një vendosje të gabuar të portieres gjermane dhe realizoi golin e fitores. Spanja për herë të parë do të luajë në finale të Evropianit.

“Nuk ishte e lehtë për Bonmatin në fillim të turneut, por ajo ka personalitet të veçantë që e shtyn drejt nivelit maksimal”, ka thënë selektori i Spanjës, Montse Tome.

“Për këtë Bonmati është fituese e Topit të Artë. Spanjës i duhej një moment si ai i golit dhe Bonmati ishte aty”, ka thënë ish-mbrojtësi ish-mbrojtësja e Skocisë, Jen Beattie.

Goli solli festë të madhe te tifozët spanjollë në stadiumin “Letzigrund”, ndërsa bashkë me mesfushoren festoi i gjithë ekipi i Spanjës.

“Kur topi ishte në rrjet fillova të vrapoj dhe pash që gjitha zëvendësueset ishin aty. Kështu që festova me to. Të shënosh në një ndeshje si kjo është shumë e veçantë. Nëse mund ta ndihmoj ekipin të shkruajë histori atëherë kjo është speciale. Mendërisht isha gati dhe po ashtu në aspektin fizik. Kam dashur që në këtë ndeshje ta shfaqi nivelin më të mirë. I falënderoj të gjithë që më ndihmuan të jem në këtë nivel”, ka thënë njëra prej futbollisteve më të mira në histori.

Spanja në finalen e së dielës përballet me Anglinë. Finalja zhvillohet në Basel. Për të siguruar finalen, Spanjës i është dashur një gjë që nuk e ka bërë asnjëherë – ta mposht Gjermaninë. Në tetë tentimet e kaluara spanjollet kishin dështuar, ndërsa katër prej atyre ndeshjeve i kishin humbur pa shënuar asnjë gol.

“Ndiej se kemi shkruar histori sërish. Për herë të parë jemi kualifikuar në finale të Evropianit dhe kemi mposhtur Gjermaninë, që nuk e kemi bërë në të kaluarën. Ndihemi krenare si gjeneratë e lojtareve që kemi arritur kaq shumë gjëra”, ka thënë Bonmati.

Spanja tani synon t’ia bashkojë titullin e Evropës atij të botës të fituar në vitin 2023. Prej fillimit Spanja është llogaritur favorite e Evropianit në Zvicër, që ka ngjallë interesim shumë të madh në mesin e tifozëve.