Mund të ketë futbollistë individualisht më të mirë. Por askush aktualisht nuk ka aq shumë ndikim sa ka Granit Xhaka te Zvicra dhe te Sunderlandi.
Kështu e nis një shkrim të gjatë për Xhakën, gazeta e madhe zvicerane “Blick”.
Në shkrimin e gazetës zvicerane, Xhaka paraqitet si figurë me shumë ndikim në futbollin botëror.
“Ai vendos standardin çdo ditë”, ka thënë trajneri i Sunderlandit, Regis Le Bris, pas mbërritjes së Xhakës në Anglinë veriore.
Dhe, sigurisht, trajneri i Sunderlandit ia dorëzoi Xhakës shiritin e kapitenit menjëherë.
Ai e ka mbajtur shiritin e kapitenit te përfaqësuesja e Zvicrës që nga fundi i Kupës së Botës 2018, edhe pse Xherdan Shaqiri mund ta kishte imagjinuar lehtësisht shiritin në krahut e tij muskuloz.
“Por ishte e qartë që nga fillimi. Nëse Shaqiri ishte realizues brilant, Xhaka ishte gjithmonë dirigjenti i orkestrës”, shkruan Blick”.
Xhaka vlerësohet “lider i lindur”. Duket të ketë lindur me atë aftësi të veçantë.
Në vitin 2004, ekipi U13 i Baselit humbi finalen e “Danone Nations Cup” para 20 mijë shikuesve në Paris.
Në vitin 2009, ai fitoi Kupën e Botës U17 me Zvicrën. Në moshën 18-vjeçare, ai debutoi për Zvicrën e drejtuar atëbotë nga Ottmar Hitzfeld: Zvicra barazoi 2:2 kundër Anglisë në “Wembley”.
“Këto paraqitje tregojnë vetëm klasin e Xhakës si futbollist. Dhe vetëbesimin e tij të palëkundur. Megjithatë, për t’u bërë lideri që është sot, atij iu desh të kalonte momente të vështira. Dhe sa herë që dukej se po dështonte, ai përdori vështirësitë për t’u bërë edhe më i mirë”, shkruan tutje “Blick”.
Në ditën e parë të transferimit nga Baseli te Borussia Monchengladbachu, në moshën 19-vjeçare, gjëja e parë që u tha shokëve ishte Liga e Kampionëve.
“Fola shumë dhe nuk bëra mjaftueshëm”, kishte thënë Xhaka, i cili kishte kuptuar se nëse flet, atëherë duhet të veprosh sipas planit. Tri edicione më vonë ai u bë kapiten i Gladbachut.
Arsenali pagoi rreth 45 milionë franga zvicerane për Xhakën në vitin 2016. Dhe menjëherë la gjurmë me dy kartonë të kuq për shumë ndërhyrje të pakuptimta. Ishte kritikuar e vërshëllyer nga tifozët e
Arsenalit. Sot, është prej mesfushorëve më të mirë të Premier Leagues për sa u përket ndërhyrjeve të suksesshme.
“Për një kohë të gjatë, Xhaka dukej të ishte një lider i natyrshëm në ekipin përfaqësues. Por jo gjithmonë lojtari ideal i ekipit. Shumë shpesh ai e vendoste veten dhe ndjenjat e tij në qendër të vëmendjes. Kishte ndeshjet e Kupës së Botës kundër Serbisë në vitet 2018 dhe 2022, përfshirë incidentet”, vazhdon shkrimi i gjatë i gazetës zvicerane.
Por në fund të fundit, cilësia e tij futbollistike është shumë e lartë. Ai është zhvilluar tutje si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Më parë, dukej pothuajse e ndaluar që ekipi përfaqësues zviceran të niste një sulm pa të paktën një pasim të Xhakës. Tani ai madje sakrifikon veten. Ai duket më i qetë në përgjithësi.
“Kualifikimi bindës për Kupën e Botës 2026 është shpërblimi. Është e mundur që Xhaka një ditë të kthehet në zonën e kuqe. Por tani për tani, duket sikur ai ka fituar një copë tjetër të enigmës nga çdo konflikt, çdo humbje, çdo pengesë, duke e bërë atë, në moshën 33-vjeçare, Granit Xhakën më të mirë të karrierës së tij deri më tani”, shkruan “Blick”.
Ai tashmë po punon për t’u bërë trajner në të ardhmen. Selektori i Zvicrës, Murat Yakin tha në Prishtinë se Xhaka po e udhëheq Zvicrën si trajner në fushë.
“Ai ka një të ardhme të ndritur”, tha Yakin para ndeshjes që Zvicra e zhvilloi në Prishtinë.