Futboll

Bayerni forcohet me mbrojtësin e Gjermanisë

Jonathan Tah

Bayerni e ka forcuar mbrojtjen e tij përpara Kupës së Botës për Klube. Të enjten ka prezantuar qendërmbrojtësin gjerman, Jonathan Tah. Mbrojtësi 29-vjeçar së fundi luajti te rivali i Bayernit në Bundesligë, Bayer Leverkusen. Ai iu bashkua gjigantit gjerman si lojtar i lirë.

“Është një ndjenjë shumë e veçantë. Mezi pres ta vesh fanellën për herë të parë në një ndeshje. Dua të marr përgjegjësi këtu dhe të punoj shumë çdo ditë në mënyrë që të kemi sukses si ekip dhe të fitojmë shumë trofe së bashku”, ka thënë Tah.

Tah iu bashkua Leverkusenit në vitin 2015. Ai ka luajtur edhe për Hamburgun, ndërsa për Gjermaninë ka 35 paraqitje.

Me Bayernin ka nënshkruar kontratë deri në vitin 2029.