Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, e ka përgëzuar skuadrën e Barcelonës për suksesin në La Liga.
Ancelotti të shtunën në konferencë për shtyp deklaroi se Barcelona e fitoi titullinme meritë. Ai shtoi se skuadra e Hansi Flickut ka zhvilluar ndeshje shumë të mira.
“Kjo është pjesë e futbollit, ndonjëherë nuk je në gjendje të nxjerrësh më të mirën nga të gjithë. Barcelona ka luajtur futboll shumë të bukur. E përgëzoj. Barça e meritoi ta fitonte titullin e kampionit. Doja ta shijoja në një mënyrë tjetër, duke luftuar deri në ditën e fundit për ligën, por nuk ndodhi”, ka thënë Ancelotti.
Barcelona të enjten fitoi 2:0 ndaj Espanyolit dhe e siguroi titullin dy xhiro para fundit.
Barça të dielën nga ora 19:00 e pret Villarrealin në ndeshjen që i takon javës së 37-të të elitës së futbollit spanjoll.
Barcelona e ka fituar edhe Kupën e Mbretit dhe Superkupën e Spanjës në këtë edicion, duke e mposhtur në finale Real Madridin.
Në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve u ndal nga Interi.