Klasikja e zjarrtë ndërmjet Barcelonës dhe Real Madridit, që zhvillohet të dielën nga ora 16:15, mund ta përcaktojë fituesin e titullit të kampionit në La Liga.
Aktualisht lidere është Barcelona me 79 pikë. Katër pikë më pak i ka Reali në vendin e dytë. Nëse Reali e mposht Barçën atëherë do t’i afrohet në vetëm një pikë.
Trajneri i Realit, Carlo Ancelotti, thotë se fitorja ndaj Barçës është mundësi shumë e mirë që të zvogëlohet dallimi në pikë. Por Anceloti pranon se La Liga është në “duart” e gjigantit katalunas.
“Do të jetë një mundësi e madhe. Do të përgatitemi mirë. Është pothuajse vendimtare ndeshja ndaj Barcelonës. Nëse fitojmë do të jemi vetëm një pikë prapa. Liga është ende në duart e Barcelonës”, ka thënë Ancelotti, shkruajnë të hënën mediumet spanjolle.
Klubi mbretëror nuk i ka realizuar dy prej tri synimeve të mëdha. U ndal në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe po ashtu e humbi finalen e Kupës së Mbretit.
Barça mund ta fitojë tripletën. Skuadra e Hansi Flickut e fitoi Kupën e Mbretit, është në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve dhe është në rrugë të mirë për ta fituar edhe titullin e kampionit në Spanjë.
Në La Liga janë edhe katër xhiro.