Futboll

Barça në kërkim të fitores, Reali synon ecurinë pozitive

Barcelona

Foto: Associated Press

Pas disfatës që e pësoi të dielën e kaluar, Barcelona kërkon të reagojë për të mos e humbur hapin me rivalin kryesor, Real Madrid, në garën për titull kampioni. 

Barça u mposht nga Reali me rezultatin, 2:1, duke mbetur kështu pesë pikë prapa në garën për kreun e tabelës në La Liga.

Barça ka 22 pikë në vendin e dytë, kurse Reali pesë më shumë në pozitën e parë.

Gjiganti katalunjas të dielën nga ora 18:30 e pret Elchen, në kuadër të javës së 11-të.

Barça është kampione në fuqi.

Elche ka 14 pikë dhe e zë vendin e tetë.

Barcelona nuk është në seri të mirë të rezultateve. Në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat ka tri disfata dhe dy fitore.

Barça është e pamposhtur në 24 ndeshjet e fundit në La Liga në shtëpi kundër Elches.

Skuadrës që drejtohet nga Hansi Flick do t’i mungojë mesfushori kryesor, Pedri, i cili ka pësuar lëndim dhe pritet të jetë jashtë fushës për disa javë.

Ndërkohë Reali synon që ta vazhdojë ecurinë e mirë të rezultateve.

“Los Blancos” të shtunën nga ora 21:00 e presin Valencian.

Reali ka vetëm një humbje në të gjitha garat që nga fillimi i edicionit 2025/26.

Madrilenëve humbjen e vetme ua shkaktoi Atletico Madridi më 27 shtator.

Valencia është ekipi i fundit që e ka mposhtur në elitë Realin në “Santiago Bernabeu”.

Valencia ka nëntë pikë në pozitën e 18-të.

Skuadra tjetër nga Madridi, Atletico, të shtunën nga ora 16:15 luan në shtëpi me Sevillan.

Atletico ka 19 pikë në vendin e katërt. Sevilla renditet në pozitën e 11-të me 13 pikë.