Futboll

Barça ka punë të vështirë në fundjavë

barcelona

Foto: Associated Press

Barcelona do të ketë punë të vështirë këtë fundjavë në La Liga.

Kampionia në fuqi e Spanjës, Barça, të shtunën nga ora 18:30 luan në udhëtim te Real Betisi, në kuadër të javës së 15-të.

Pikët e lëshuara nga Real Madridi në ndeshjet e fundit ia mundësuan Barcelonës që të dalë në pozitën e parë.

Barça ka 37 pikë. Një pikë më pak ka Reali në vendin e dytë. Betisi e zë vendin e pestë me 24 pikë.

Gjiganti katalunjas ka pesë fitore radhazi në elitë. Barça të martën e fitoi derbin ndaj Atletico Madridit me rezultatin 3:1.

Ndërkohë të mërkurën, Betisi, fitoi thellë, 4:1, ndaj Torrentit në kuadër të Kupës së Spanjës.

Betisi nuk është mposhtur në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Ka gjashtë fitore dhe dy barazime.

Barcelona ka shtatë fitore dhe dy barazime në nëntë përballjet e fundit me Betisin.

Barça nuk është mposhtur si mysafire te Betisi që nga marsi i vitit 2008.

Betisit do t’i mungojnë dy futbollistë të rëndësishëm si Hector Bellerin dhe Isco, për shkak të lëndimit. Sofyan Amrabat dhe Giovani Lo Celso mbetën në dyshim.

Te Barça vazhdojnë të mungojnë portieri Marc-Andre ter Stegen dhe mesfushori Gavi. Ndërsa nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Hansi Flick as Fermin Lopez, Ronald Araujo dhe Dani Olmo.

Real Madridi të dielën nga ora 21:00 e pret Celta Vigon. Skuadra mbretërore në katër ndeshjet e fundit në elitë ka tri barazime dhe një fitore. Barazimet e fundit i kushtuan edhe me humbjen e pozitës së parë.

Celta Vigo në pesë ndeshjet e fundit në të gjitha garat ka tri humbje dhe dy fitore.

Ka 16 pikë në pozitën e 12-të.

Të shtunën nga ora 21:00 luhet edhe një ballafaqim interesant, ai mes Athletic Bilbaos dhe Atletico Madridit.

Atletico ka 31 pikë dhe e zë vendin e katërt. Bilbao numëron 20 pikë në pozitën e tetë.